Maqedoni

Të enjten dhe të premten në Shkup vijnë Hani dhe Rikeri

Shpërndaje

Të enjten dhe të premten, 24 dhe 25 korrik në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) do të vijnë eurokomesari për politikë fqinjësore dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), Johanes Han dhe ndihmës-sekretari shtetëror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Evropë dhe Euro-Azi, Filip Riker, njofton Portalb.mk.

Hani do të realizojë nesër takime me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev dhe liderin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Temë e takimeve do të jetë realizimi i reformave të rëndësishme për procesin e integrimit të RMV-së në BE.

Meqë vizita vjen një ditë pasi Qeveria e RMV-së e dorëzoi në Kuvend Ligjin për Prokurori Publike me të cilin trasohet ardhmëria e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), pritet që temë diskutimi i takimeve të jetë edhe miratimi i këtij ligji.

Në kuadër të kësaj, me fillim në orën 09:15, në Klubin e Deputetëve do të mbahet konferenca për shtyp Zaev – Han.

Rikeri të premten në Shkup

Ndërkaq Rikeri do ta vizitojë Shkupin më 25 korrik 2019. Gjatë kësaj, ai do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, deputetë dhe përfaqësues të opozitës.

Temë e diskutimit do të jenë çështjet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s dhe BE-së.

Rikeri në Shkup vjen pas vizitës që ai e realizoi në Greqi, ku u takua me shefin e diplomacisë, Nikos Dendias, ish kryeministrin Aleksis Cipras dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë.