Rajoni

Aplikacioni për votuesit jashtë Kosovës, përplasë anëtarët e KQZ-së

Shpërndaje

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka shprehur kundërshtim ndaj reagimit të lëshuar nga KQZ-ja lidhur me një aplikacion online i cili grumbullon të dhënat e qytetarëve nga jashtë Kosovës si dhe donacione.

Në reagimin e KQZ-së thuhej se një aplikacion i tillë është i paautorizuar, në kundërshtim me ligjin dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas pranimit të informacioneve lidhur me publikimin e këtij aplikacioni, ka njoftuar organet kompetente për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore.

Kurteshi tha se KQZ-ja nuk mund të lëshoj reagim pa e konsultuar edhe atë.

“Unë e kam hap aplikacionin dhe pikërisht ky aplikacion është ai që është dashtë me bo KQZ. Na dojmë me i kriminalizu ata njerëz për shkak se ju ofrojnë ndihmë mërgimtarëve me i ndihmu ata njerëz. Unë nuk pajtohem me reagimin dhe hapat e ndërmarr lidhur me këtë çështje”, tha Kurteshi.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Dka, tha se është e natyrshme që do të reagoj KQZ-ja kur dikush i pa autorizuar mbledh shënimet personale të qytetareve të Republikës së Kosovës si dhe gjiro llogaritë dhe kërkon donacion për regjistrime.

“I vetmi institucion i autorizuar që t’i ketë shënimet personale është KQZ-ja. Askush nuk mund t’i mbledh shënimet personale të qytetarëve dhe votuesve duke i pas në dispozicion shënimet personale të tyre”, tha Daka.

E Kurteshi duke iu kundërpërgjigjur me tone të larta tha se e ka plotësuar atë formular dhe se nuk kërkon të dhëna sensitive.

“Unë e kam plotësu vetë atë formular nuk lypin numër personal, datëlindje, nuk e lyp as emrin e prindit, nuk kërkojnë asnjë donacion unë e kam plotësu dhe më është kthy që këtu e ke formularin e plotëson vet. Nuk kanë kërku asnjë të dhënë sensitive”, tha ai.

E debati është nxehur mes Sami Hamitit dhe Sami Kurteshit duke e quajtur njëri tjetrin gënjeshtar dhe të kriminalizuar.

“Ti je gënjeshtari më i madh i pari se je msu me qu zërin palidhje. Jeni kriminalizu deri në fund”, thotë Sami Hamiti në drejtim të Kurteshit.

Pas zhurmës së madhe gjatë kësaj mbledhje Daka lajmëroi se nuk do ta udhëheqë mbledhjen nëse vazhdon në këtë mënyrë.

KQZ-ja po vazhdon ta mbajë mbledhjen e saj.

Gjatë kësaj mbledhje është bërë zëvendësimi i një anëtari në Kuvendin Komunal në Komunën e Podujevës.

Haki Rudari është emëruar anëtar në Kuvendin Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë duke e zëvendësuar Bajram Ajeti.