KQZ verifikon aplikimet nga diaspora, thonë se procesi po shkon mirë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka funksionalizuar Qendrën e Thirrjeve, ku janë të hapura 25 linja telefonike që do të bëjnë verifikimin e votuesve nga jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë në Klan Kosova, se procesi deri tani ka shkuar shumë mirë.
“Deri tani, janë bërë me mijëra telefonata në numrat e telefonit të cilat i kanë shënuar aplikuesit. Në aplikim, një qytetar me të drejtë vote bën për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, shënon edhe numrin e tij të telefonit. Atë numër të telefonit zyrtarët e KQZ-së, e merr dhe e kontakton sipas udhëzimit të miratuar nga KQZ-ja. Pra një raport më të detajuar, se sa ka qenë numri i aplikuesve që i kemi kontaktuar deri më tani, do ta kemi pak më vonë gjatë mbrëmjes”, u shpreh Elezi.
Sipas tij, arsyeja pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë një vendim të tillë është për të verifikuar vërtetësinë e votuesit.
“Aktualisht në KQZ, po zhvillohet periudha e regjistrimit të votuesve jashtë vendit. Periudha ka nisur më datë 13 janar dhe përmbyllet më 21 janar në orën 18:00, sipas kohës lokale në Kosovë”.
“Procesi që po ndodh këtu është proces i verifikimit të aplikuesve nga jashtë vendit. Arsyeja se përse kemi vendosur kështu, është për faktin për të ditur dhe vërtetuar që prapa një aplikuesi qëndron një votues i vërtetë dhe nuk është një person tjetër që ka për qëllim për të aplikuar në emër të dikujt tjetër”.