Certifikimi i kandidatëve që kanë probleme me ligjin, mospajtime të shumta në mbledhjen e KQZ-së
Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është duke u shoqëruar me mospajtime të shumta rreth certifikimit të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Mospajtimet filluan pasi Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, tha se të gjitha subjektet i plotësojnë kushtet për certifikim, ndërsa tha se ka kandidat që mund të kenë probleme me ligjin, por nuk kanë mundur të verifikojnë a kanë me të vërtetë probleme, transmeton Telegrafi.
“Të gjitha subjektet i plotësojnë kushtet, ka kandidat që mund të kenë probleme, por nuk kemi mundur të verifikojmë a kanë me të vërtetë probleme”, tha Buleshkaj.
Kurse, kryetarja e KQZ-së ka thënë se rekomandimi i kësaj zyre nuk tregon asgjë dhe se është e paqartë.
“Nuk e kemi të qartë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet e cilët jo. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim është ajo që e bënë filtrimin dhe e dërgon rekomandim. Kërkesat i janë dërguar të gjitha institucioneve dhe pastaj është kërkuar nga subjektet politike që të zëvendësohen kandidatët që nuk i kanë plotësuar kriteret. Rekomandimin që e kemi sot nuk na shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret e apo jo”, tha Daka.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e ka quajtur gjithë këtë situatë politike.
“Rekomandimi i zyrës për certifikimin e kandidatëve, mua më duket e drejtë. Mendoj që zyra dhe ne kemi për obligimi ti ndjekim hapat dhe mjetet ligjore për rishqyrtimin e çështjeve për të cilat mendojmë që janë të kundërligjshme. I bëjë ftesë KQZ-së ta marrë parasysh rekomandimin për certifikimin e kandidatëve”, ka pohuar ai.
Mbledhja e KQZ-së është duke vazhduar.