Historia mbi 100-vjeçare e punimit të plisit nga familja Gjurgjialo
Prej më shumë se një shekull familja Gjurgjialo në Prizren merret me zanatin e punimit të plisit. Qeleshepunuesi Naxhi Gjurgjialo e ka trashëguar zanatin nga gjyshi e babai, e pas martesës me Ergylen plisat i punojnë bashkë në punëtorinë e tyre në hyrje të qytetit të Prizrenit.
Ergyle Gjurgjialo prejse është martuar me Naxhiun nuk mban mend të ketë punuar diçka tjetër përveç prodhimit të plisit.
“35 vite kam martesë dhe menjëherë pas martesës fillova. Burri ka pasë zanatin, familja jonë traditën e ka mbi një shekull që punojmë me plisin ashtu që menjëherë pas martesës fillova me plisin”, tha ajo.
Gjurgjialo ka shpjeguar për KALLXO.com hapat se si punohet plisi. Sipas saj, leshi i deles derisa të shndërrohet në plis duhet të kalojë nëpër 25 procedura.
“Plisi veçse e ka marrë formën pasi që ka dalë prej kësaj makinës, në kallëp që është mbështjellë. Normal që aty matet gramazha e plisit. 120 gramë është plisi dhe më pas shkon në shtypje kjo punohet, kalon në procedurën tjetër d.m.th. kalon në makinën tjetër, por pastaj ka punë dore dhe punohet në dorë”, shton ajo.
“Këtu janë disa pika të zeza që dalin prej lëndës së parë- leshit, këto pastrohen. Unë nuk kam kohë, por i çoj nëpër shtëpia, gratë i pastrojnë. Pasi të pastrohet fillon procedura me sapun dhe me ujë të nxehtë e zvogëlohet plisi dhe vjen në këtë formë dhe pas kësaj formë hyn në kallëp pastaj”, thekson Ergyle Gjurgjialo.
Ergyle Gjurgjialo thotë se punimi i plisit nuk është punë e lehtë. Por, thekson se dashuria e madhe simbolin kombëtar e shtyn ta mbajë gjallë këtë zanat.
Gjurgjialo thotë se kërkesat për plisin janë të vogla dhe kryesisht ata që e kërkojnë janë personat e moshuar ndërsa shton se vlera në treg e një plisi është 5 euro, që është shumë e vogël në krahasim me kohën që e merr derisa punohet.
“Plisi nuk është një zeje e lehtë të punohet. 25 herë kalon nëpër duar derisa vjen te hekurosja. Vetëm nuk punohet, normal ne e kemi biznesin familjar, me shokun, me djemtë edhe punëtorët i kam. Zakonisht gratë i kam angazhuar më shumë me punu”, tregon ajo.
Leshi i deles me të cilin punohet plisi vjen nga Australia në Turqi e më pas familja Gjurgjialo e sjell atë në Kosovë.
Kjo familje punon plisa të trevave të ndryshme shqiptare. Plisin që e përdorin në Dibër, në trevën e Lumës, Zhurit, Hasit, Dragashit e të Rrafshit të Dukagjinit.
Përkrah plisit, kjo familje punon edhe çanta e kapele të ndryshme nga leshi i deles.
Kliko VIDEO