Arbnora Fejza – Idrizi thyen rekordin Guinness me mozaikun më të madh Origami në botë (Foto)
Arbnora Fejza – Idrizi nga komuna e Skenderajt ka njoftuar se Guinness World Record ka aprovuar rekordin e saj për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës.
Ajo tutje ka dhënë detaje rreth punimit të këtij flamurit.
“Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës. Të gjitha detajet dhe linkun zyrtar do t’i ndajmë me ju nesër. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund ç’do here”, ka thënë ajo.
Fejza – Idrizi ka thënë se punimet për këtë flamur kanë zgjatur 1 vit e katër muaj.
“1 vit përgatitje, 4 muaj për të krijuar mbi 120,000 fletpalosje origami, 13 orë punë intensive me gjithë ekipin për të krijuar Mozaikun më të Madh Origami më Flamurin e Republikës së Kosovës dhe për të vendosur një rekord të ri botëror”, ka thënë ajo.
Për rekordin e ri, ka shkruar edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili e ka quajtur të jashtëzakonshëm lajmin për këtë rekord.
“Flamuri i Republikës së Kosovës i realizuar nga artistja e komunës sonë, Arbnora Fejza Idrizi ka thyer rekordin e Guinnessit. Ajo, në Palestren Sportive të qytetit tonë, kësaj radhe ka krijuar Mozaikun më të madh Origami në botë.Artistët tonë, me veprat e tyre madhështore janë ambasadorë të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.Përkrahja ime si kryetar komune për artistët dhe të rinjtë tonë nuk do të mungoj asnjëherë”, ka pohuar ai.