Lista Serbe mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për devijim të vullnetit të qytetarëve
Lista Serbe pothuajse ia ka arritur qëllimit të ketë më shumë se 10 deputetë sa i takojnë me ligj në Kuvendin e Kosovës.
Kjo listë që kontrollohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u ka siguruar vota personave të caktuar nga parti të komuniteteve të tjera – që më pas të njëjtit të futen në parlament të Kosovës dhe të kontrollohen nga ta.
Njëra nga to është kandidatja për deputete e komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’ka asnjë pjesëtar të komunitet boshnjak.
Kjo strategji e Listës Serbe, po cilësohet si deformim i vullnetit të qytetarëve nga Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“Kjo nuk ka të bëjë me përfaqësim qytetar, kjo ka të bëjë me një strategji politike që drejtohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç”.
Ajo thotë se nuk ka ndonjë klauzolë që i ndalon qytetarët që t’i votojnë partitë e tjera.
Por është bindur që kjo po bëhet për arsyeje politike.
“Është një çështje që nuk duhet të shkoi pa u vërejtur dhe nuk duhet të shihet kinse nuk ka ndodhur asgjë, pasi e dimë që këtë Lista Serbe e ka bërë për arsyeje politike dhe nuk ka të bëjë asgjë me përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend”, tha Krasniqi.
Po ashtu sipas saj, mund të krijohet precedent për funksionim në të ardhmen të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësimit të qytetarëve.
“Në të ardhmen mund të ketë raste që edhe partitë politike shqiptare mund të zgjedhin kandidatët të caktuar nga komunitet duke bërë deformimin e vet frymës së Kushtetutës”.
Genci Nimoni nga organizata ÇOHU thotë se “vërehet dhe janë dyshimet se mund të ketë koordinim paraprak në mes të Listës Serbe dhe subjekteve apo individëve tjerë nga komunitetet tjera”.
“Mund të na dërgoj te fakti i manipulimit me vullnetin e votuesve dhe mos përfaqësimit të drejtë të vullnetit të tyre”, vuri në pah Nimoni.
Ai shton se “Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar saktë vendet e garantuara për komunitete, të cilat vende duhet ta përfaqësojnë vullnetin e atij komuniteti, jo të komuniteteve të tjera”.
“Çdo devijim nga ky vullnet, mund të na dërgojë edhe në shkelje kushtetuese dhe mund të jetë bazë për kërkesë në Gjykatën Kushtetuese e cila është kompetente ta sqarojë këtë”.
Sipas tij, Kodi Penal i Kosovës, ka rregulluar dhe sanksionuar veprimet të cilat mund të bien ndesh me përcaktimin e vullnetit të lirë të votuesve.
Madje, Nimoni potencon se nëse vërtetohet ndikimi tek votuesit, dikush mund të shkojë edhe në burg.
“Për shkelje të tilla, kur cenohet përcaktimi i vullnetit të lirë të votuesve për shkaqet e përmendura me sipër, apo edhe kur ka dhënie e marrje ryshfeti lidhur më këtë, Kodi Penal i Kosovës ka paraparë dënime të ashpra, filluar nga ato me gjobë dhe deri në dënime me burgim deri në pesë vjet.”
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mentor Beqiri, rastin në fjalë më shumë e sheh si objekt për hetim penal.
“Kodi Penal parasheh në nenin 212, ndikimin në votim të tjetrit për qëllim përfitimi. Sigurisht, ky veprim do jetë vështirë të zbulohet në procedurë penale. Gjithsesi, një veprim i tillë prekë dhe deformon frymën kushtetuese të Kushtetutës sonë”, përfundoi Beqiri.
Parlamenti i Kosovës ka 120 ulëse dhe 20 prej tyre janë të rezervuara për komunitetet – 10 për serbët dhe 10 për komunitetet e tjera.
Për ta rritur ndikimin, Lista Serbe ka gjetur këtë formulë që të marrë më shumë ulëse, duke ndihmuar persona të caktuar të komuniteteve të tjera të marrin ulëse në Kuvend dhe më pas t’u përgjigjen atyre.
Albanianpost