Rajoni

Kurti bisedim me profesorë të Harward-it: VV do të nxisë studentët më të mirë në praktika

Shpërndaje

Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një bisedim virtual me profesorin nga Harward, Fernando M. Reimers. Me anë të një postimi në Facebook, Kurti shkruan se ka marrë disa këshilla nga profesori të cilat do t’i zbatojnë gjatë mandatit të tyre. Kurti është shprehur se do të hiqen notat për shkollën fillore, do të formohen kurrikula të reja mësimi, si dhe për të gjithë studentët që janë ekselentë do të nxiten që të bëjnë sa më shumë praktika. Në fund të shkrimit të tij, Kurti u shpreh se ata janë përgjegjës për të ardhmen e vendit dhe të të rinjëve.

Shkrimi i plotë:

Arsimi është sistem në të cilin kalojmë të gjithë. Pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë me Fernando M. Reimers, profesor në Universitetin e Harvardit që nga viti 1998. Ai udhëheq programin e Politikave Ndërkombëtare të Arsimit në nivelin pasuniversitar dhe është anëtar i Komisionit të UNESCO-s mbi të Ardhmen e Arsimit. Hulumtimet dhe librat e shumtë të profesorit Reimers përqendrohen në përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për shekullin 21 përmes intervenimeve në arsimin publik. Publikimet e tij përfshijnë ‘Edukimi i Nxënësve për ta Përmirësuar Botën’, ‘Letra për një Ministër të Ri të Arsimit’ dhe ‘Menaxhimi i Arsimit gjatë COVID-19’. Diskutuam gjatë mbi sfidat e arsimit dhe politikat që i planifikojmë për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga shujtat falas për të gjithë fëmijët, eliminimi i notave për klasët fillore të ulëta, kurrikulat e reja dhe edukimi dual që ndërlidh aftësimin profesional me tregun e punës. Në takim, Reimers theksoi rëndësinë e reformave të njëkohshme në tri sfera të jetës publike: sundimi i ligjit, ekonomia dhe arsimi. Këto të trija, kur funksionojnë siç duhet e të bashkërenduara, përbëjnë potencialin më të madh të zhvillimit në Kosovë. E dimë se shumica e klasëve në shkolla janë të mbingarkuara, dhe një reformë që propozoi profesori Reimers e që ka funksionuar për shtetet e ngjashme është angazhimi i asistentëve për mësimdhënësit e të gjitha niveleve. Lëvizja VETËVENDOSJE! planifikon të nxit studentët më të mirë të nivelit Master të angazhohen në mësimdhënie, dhe të ofrojë përgatitje profesionale të vazhdueshme në nivel kombëtar për të gjithë. Gjithashtu u diskutua rëndësia e leximit, e qasjes në libra në çdo klasë, për çdo fëmijë, si dhe koha e dedikuar për lexim gjatë orarit mësimor. Leximi është për mendjen ajo që ushqimi është për trupin. Bibliotekat e reja dhe të furnizuara për të gjitha shkollat janë prioritet qeveritar yni për arsimin. Për fund, Reimers theksoi që arsimi arrin objektivat e saj vetëm kur përfshihet i gjithë komuniteti. Shkolla e lagjes mund të bëhet qendër e komunitetit. Të gjithë kemi përgjegjësi ndaj fëmijëve dhe të rinjve, jo vetëm si shërbyes publik, por si prindër, banorë dhe qytetarë. Andaj duhet angazhimi i secilit për të mbështetur nxënësit me dashuri, aktivizëm dhe prezencë kolektive.