Maqedoni

Ministri Osmani në ofensivë diplomatike në Dubai, në fokus ekonomia diplomatike

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot në Dubai realizoi takim me Ministren Shtetërore për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Reem Bint Ebrahim Al Hashimy, e cila është përgjegjëse për ndihmë ndërkombëtare, zhvillimore dhe teknike dhe drejtor kryesor i EXPO 2020 Dubai.

Temë qendrore e takimit ishte pjesëmarrja e Republikës së Maqedonisë së Veriut në EXPO 2020 Dubai, me ç’rast u vizitua Pavioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është në fazën finale. Në kuadër të bisedimeve Osmani shprehi mirënjohje për ndihmën e EBA-s për ballafaqimin me pandeminë Covid-19 që i është dhënë Ministrisë sonë të Shëndetësisë në muajin nëntorë, vitin e kaluar.

Në ditën e parë të vizitës, Osmani kishte takim edhe me Ministrin për Tregti Të Jashtme, Thani Ahmed Al–Zeyoudi, me të cilin biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar.

“Bashkëpunimi ekonomik mbetet si fokus kryesor i interesit tonë të përbashkët, kështu që mundemi të theksojmë se fushat kryesore të interesit tonë janë tregtia, investimet dhe turizmi”, theksoi Osmani.

Në kuadër të vizitës dy ditore të EBA-s, nesër Osmani në Abu Dabi, do të takohet me homologun e tij Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, me Ministrin për tolerancë dhe bashkëjetesë, Sheikh Nahyan Bin Mubarak Al-Nahyan, Ministrin Shtetëror për Diversifikimin Ekonomik dhe Diplomacinë Ekonomike, Ahmed Ali Al-Sayegh dhe me Drejtorin ekzekutiv të “Hedayah International Center” për ballafaqimin me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, Ahmed Al Qasimi.