MaqedoniTop Lajme

Mijallkov i pakapshëm për shtetin, nuk ka asnjë përgjegjësi nga institucionet

Shpërndaje

Ku iku Sasho Mijalkov? Si u zhduk ish-drejtori i DSK-së para syve të policisë? Prokurorët Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov nuk e kanë ditur se ai po përgatit arratisje, pas fjalëve mbyllëse të premten për rastin “Target- Fortesa”. Ata e kanë informuar Ministrinë e Brendshme se gjykimi ka mbaruar dhe se ka ngelur vetëm shqiptimi i vendimit. Tek të shtunën në mbrëmje në ora 23 policia ka njoftuar Prokurorinë se ka dyshime se Mijallkov do të arratiset. Të dielën në orën 15 ka mbërritur kërkesa për arrest shtëpiak. Kërkesa ishte aprovuar, ndërsa Mijalkov ishte vendosur nën video dhe audio mbikëqyrje. Deri në orën 18:45 pasdite, prokuroria ka pasur informata se Mijallkov nuk ka ikur. Atij i humbet çdo gjurmë pas orës 21:47. Prokuroria dyshon se Mijallkov kishte ndihmës dhe e dinte se ndaj tij kishte masë paraburgimi dhe se ai po ndiqet nga policia.

Prokuroria Publike:

“Duke marrë parasysh faktin se në kohën e përgatitjes së propozimit për paraburgim, si dhe në momentin e dorëzimit të tij në gjykatë, i akuzuari Mjallkov nuk ka qenë në arrati. Prokuroria beson se ka dyshime të bazuara për kryerjen e veprës “Ndihma e një autori pas kryerjes së veprës penale” nga neni 365 i Kodit Penal, për çka do t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për pastrimin e dyshimeve të këtilla”.

Policia Mijallkovin e kërkon me fletë- arrest kombëtar dhe ndërkombëtar. Nuk dihet a është larguar nga shtetit legalisht apo ilegalisht. Penalja njofton se kanë caktuar masë kundër tij, menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë. Vendimi është nisur të përgatitet të dielën në ora 15:00.

Gjykata Penale

“Pasi propozimi është dërguar në fundjavë, Këshilli në korrelacion me dokumentacionin për dyshimin për arratisje, të dorëzuar nga Prokuroria me njoftim deri në Byronë e Sigurisë Publike pranë MPB-së, menjëherë filloi me veprim dhe mori vendim, me të cilin të akuzuarit i caktoi masën e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje 24 orëshe si dhe mbikëqyrje video dhe elektronike kurse në orën 18:30, vendimi tashmë ishte dërguar në MPB, si kompetente për veprim të mëtutjeshëm”.

Dhe derisa opinioni është i befasuar se si Sasho Mijlakov arriti të ik nga pushteti pas Nikolla Gruevskit, kryeministri Zoran Zaev siguron se nuk ka asnjë marrëveshje politike që Mijallkov të shpëtojë. Ai gjithashtu ishte i zhgënjyer që ish drejtori i policisë sekrete është zhdukur pesë ditë para se ta dëgjonte vendimin për skandalin e përgjimeve të paligjshme. Tani për tani, Zaev nuk do të kërkojë dorëheqje dhe përgjegjësi.

“Do të kërkoj përgjegjësi kur të njoftohemi me detajet. Gjykata lëshoi urdhër për arrest shtëpiak. Nëse nuk gaboj, në orën 18:30 në Byronë e Sigurisë Publike është pranuar urdhri dhe menjëherë është vepruar sipas urdhrit, duhet t’i shohim detajet dhe natyrisht nëse ka ndonjë lëshim, do të kërkoj publikisht përgjegjësi”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Për momentin nuk ka asnjë përgjegjësi për arratisjen e Mijalkovit në strukturat menaxhuese të Ministrisë së Brendshme – Ministër, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, drejtori i ASK-së. Policia në përpjekje për ta gjetur se kush dhe nëse e ka ndihmuar Sasho Mijalkovin, në bisedë informative i ka marrë anëtarët e familjes dhe sigurimin e tij që ishin hija e tij besnike./alsat/