Haradinaj e quan veprim të parakohshëm pjesëmarrjen e LVV-së në zgjedhjet në Shqipëri
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se duhet sa më parë të formohen institucionet e reja nga fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje.
“Kosova sot, prej fituesve të rinj të zgjedhjeve pret krijimin sa më shpejt të institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta, duke përfshirë këtu dialogun e brendshëm dhe të jashtëm, që të vetmin përcaktim ka ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit të vendit e karakterit unitar të shtetit”, ka shkruar Haradinajt.
Sipas Haradinajt, dialogu i brendshëm nuk duhet të bëhet vetëm me partitë e minoriteteve, por edhe me partitë e tjera.
“Dialogu i brendshëm vetëm me përfaqësues minorë e pa ndonjë fuqi elektorale të serbëve nga pjesa qendrore e Kosovës, jo vetëm se mund të jetë selektiv, por edhe sinjal i keq për karakterin unitar të Shtetit”, ka shkruar tutje ai.
“E konsideroj poashtu të parakohshme ngutjen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe druaj se, në mos për vetë pjesëmarrësit në këto zgjedhje, të tjerët do ta shohin si një hile dhe mundësi për të rikthyer skenarë të vjetër për ndarje”, ka thënë tutje ai.
Sipas Haradinajt, qasja e LVV-së ‘mund të konsiderohet si një lloj pafuqie për t`u përballur me integrimin e patjetërsueshëm të veriut të vendit’.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt, sipas rezultateve preliminare LVV është partia e parë, ani pse ende është duke u bërë rinumërimi i disa vendvotimeve.
Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti ka deklaruar se procesi i negociatave me palën serbe, nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të qeverisë së tij.
“Nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, ne ju përgjigjemi atyre. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, ka thënë Kurti në konferencë për media, më 14 shkurt, pas mbylljes së vendvotimeve.