Samiti i klimës COP28, Rama kritik me vendet e mëdha: Japin leksione, por nuk ndalen

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama mori pjesë ne Samitin Botëror të Ndryshimeve Klimatike COP28, që u zhvillua në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në emër të Shqipërisë, ai vuri theksin te nevoja që vendet e mëdha t’u qëndrojnë zotimeve të ndërmarra për të mbrojtur planetin, pasi realiteti është larg me premtimet, pohoi Rama.

“Marrëveshja e Parisit ishte një rreze shprese, një premtim i bërë nga bota për të ruajtur planetin tonë dhe banorët e tij, e megjithatë realiteti është larg zotimeve të ndërmarra. Për ta thënë ashtu siç është, barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë në mënyrë shpërpjesëtimore në shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë.

Megjithatë ajo çfarë ne bëjmë, është ajo tek e cila besojmë dhe jemi zotuar të ulim emetimet e gazrave serrë në nivel global me 20.9% deri në 2030 dhe të arrijmë asnjanësinë klimatike deri në 2050.

Së dyti, vendi ynë synon të bëhet lider energjetik në rajon dhe eksportues neto energjie deri në 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dioksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë”.