Ambasadori holandez: Pengesat bullgare mos t’ua ndalin ‘ëndrrën evropiane’
Pengesat që po ia bën Bullgaria Maqedonisë së Veriut në rrugën evro-atlantike janë pengesë, por diçka e tillë nuk duhet që të jetë arsye për të ndalur përpjekjet për integrimin e vendit të strukturat evropiane. Këtë mesazh e ka thënë ambasadori i Holandës në Shkup, Dirk Jan Kop, i cili u bën thirrje autoriteteve të vendit që të vazhdojnë të punojnë për këtë qëllim strategjik të vendit.
Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ambasadori holandez ka deklaruar se vendi duhet që të zbatojë reformat e kërkuara, duke premtuar se do të mirëpritet si vend anëtar.
“Është e rëndësishme është që vitin e kaluar Maqedonia e Veriut mori dritën jeshile për të filluar negociatat e pranimit. Është gjithashtu e rëndësishme që të përfundojnë reformat që duhet zbatuar. Kur të përfundojë ky proces vendi do të bëhet anëtar i Bashkimti Evropian. A ka ndonjë pengesë gjatë rrugës? Padyshim që ka. Ata duhet të kapërcehen. Por pyetja nuk është nëse Maqedonia e Veriut do të jetë anëtare e BE-së, por kur”
Ambasadori holandez ka deklaruar se nuk mund ta parashikojë saktësisht se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare, por shpreson se ajo do të ndodhë sa më shpejt.
Ai ka thënë se të gjithë vendet anëtare ranë dakord që të mbahej konferenca e parë ndërqeveritare. “Bullgaria ishte vetëm”, tha ambasadori. Megjithatë, sipas tij kjo është çështje që duhet të zgjidhet, jo nga BE-ja, por ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.