Kurti uron 7 Marsin: Mësuesi vjen menjëherë pas prindit
Kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti ka zgjedhur që sot me rastin 7 marsit ditës së mësuesit, të bëjnë një dedikim të veçantë për atë se çka dhanë ndër breza arsimtarët, për të mbajtur gjallë arsimin në Kosovë.
Kurti ka kujtuar Shaban Jasharin të cilin e ka quajtur mësues rezistent, luftëtarë dhe dëshmorë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot është dita e mësueseve dhe mësuesve tanë. Personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë sonë. Mësuesi vjen menjëherë pas prindit. Sapo fëmija del prej ngrohtësisë së nënës, babait dhe vatrës, ka përpara vetes dhe bashkëmoshatarëve të vet një autoritet të ri të cilin e dashuron jo thjesht prej ndjenjës, por prej dijes. Në sytë e shkollarit mësuesi është përfaqësuesi i një jete që çelet përpara.
Le të kujtojmë sot figurën e mësuesit rezistent, luftëtar, dëshmor. Por edhe të rindjejmë e përkujtojmë atë vrull arsimues të Shaban Jasharit. Le ta rikujtojmë si mësuesi më i shpallur i bijve e bijave të tij. Mësues special ishte baca Shaban sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij. Por baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. Në këtë kuptim 7 marsi mund të marrë vlerën e vet më të plotë. Mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re.