Flet më në fund Abdixhiku – A do ta votojë LDK Vjosa Osmanin për presidente
Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka folur për formimin e institucioneve të reja të vendit. Thotë se vendit i duhet stabilitet dhe nuk duhet shkuar në zgjedhje të reja.
I pyetur nëse do e votojnë ish-nënkryetaren e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila po synon postin e presidentes, Abdixhiku tha se vendimi do të merret pas takimit me Kurtin e Osmanin, i paraparë për të premten në 14:30.
“Do të bëjë konsultime fillimisht. Do të shoh disponimin e njerëzve tanë. Ajo çfarë kam thënë vazhdimisht është se qëllimi jonë është konstruktiv. LDK asnjëherë s’ka penguar në procesin e formimit të institucioneve por çfarë po themi është se duhet parë për çfarë po flasim’, tha Abdixhiku.
“Ende s’kemi pas takim me palën tjetër. Konstruktiviteti jonë nënkupton që ne jemi opozitë fillimisht, jemi opozitë konstruktive por s’do të thotë se jemi konstruktive për të mbështet pozitën pa qartësime”, shtoi ai.
“Qartësimet nuk janë mbi të shkuarën ato i kemi tejkaluar në momentin që kemi pasur me ta, por më tepër është për garancën e demokratizimit të vendit. Ne do të shohim a ka një garancë të tillë që vendi do të ketë institucione demokratike dhe jo partiake”, theksoi Abdizhiku.
“Ne nuk jemi të interesuar të krijojmë destabilitet në vend”, tha ai.