RajoniTop Lajme

Kurti porosi për ministrat: T’i përvjelim mëngët, t’i përvishemi punës

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti, para kabinetit qeveritar, në mbledhjen solemne, tha se vendi gjendet në krizë shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se duhet vepruar me urgjencë të ulen rastet dhe vdekjet e reja si rezultat i Covid-19.

Sipas tij, balancimi i tyre duhet të bëhet përmes një plani konkret.

“Kërkohet punë dhe rezultate sa më të shpejta. Rezultati i këtij kabineti varet nga puna që bëni ju dhe ekipi që drejtoni. Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim çdo kohë por edhe veprim. Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime konkrete që i keni identifikuar me vite. Tash është koha që të dëshmoni para qytetarëve që në pozitat që jemi vendosur jemi meritor”.

Ai ka thënë se duhet vepruar shpejtë që të ndalen humbjet financiare.

“Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të përformancës, aty ku ka shkelje duhet vepruar shpejtë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti që e ka vizion të udhëheqë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se duhet përvjelë mëngët e t’i përvishen punës që i pret të gjithë.

“Në këtë javë do të takohemi në mbledhjen e punës ku menjëherë do i marrim veprimet e nevojshme siç i sheh ky kabinet i yni qeveritar”.

Qeveria Kurti 2 do të ketë 15 ministri, nga ta 8 anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas kabinetit të prezantuar nga Albin Kurti, 5 ministri do të drejtohen nga gratë

Kabineti qeveritar do të jetë si në vijim:

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi; Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla; Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicatve dhe të Drejtave të Njeriut, Emilia Rexhepi; Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia; Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë do të jetë Arbërie Nagavci; Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë Hajrulla Çeku; Ministër i Administrimit Lokal do të jetë Elbert Krasniqi; Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të jetë Liburn Aliu; Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Faton Peci; Ministër i Mbrojtjes do të jetë Armend Mehaj; Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla; Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli; Ministër për Komunitete dhe Kthim është Goran Rakiq dhe Ministër për Zhvillimin Rajonal është Fikrim Damka.