RajoniTop Lajme

Krujë, tre jetimë qajnë për bukën e gojës, 27 vjeçarja: Më mirë të isha nën dhe! (Historia e trishtë)

Shpërndaje

“S’ka gjë më të keqe se të qajnë për bukë e të vdesin për derman fëmijët”. Me këto fjalë shprehet Brunilda Hysa e ëma e tre fëmijëve të mbetur jetimë. 27 vjeçarja e mbetur e ve në fshatin Kroi Madh të Krujës rrit e vetme Ambrën 4 vjeçare, Arnin dy vjeç e për më të voglin, Hamitin, 7 muajsh, që e ka ende në djep.

Ka mbetur e ve, e vetme dhe krejt e pafuqishme për të rritur jetimët e saj. Jeton në një fshat te humbur të Krujës, në fshatin Kroi Madh, bashkë me vjehrrën e saj, nënë Tixhja, 75 vjeçare, që pas humbjes së bashkëshortit, rriti ndër mundime, e vetme 7 fëmijë. Ndërsa tani, prej shtatë muajsh ajo po përjeton dhimbjen e humbjes së djalit të saj… si dhe pafuqinë për t’u siguruar jetën, 3 jetimëve që ai la pas.

“Më vështire për nënën s’ka ku shkon puna…. Na ruaj mend o Zot”, thotë ajo për gazetaren e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” Voltiza Duro. Dy gra që vuajnë nën të njëjtën çati e në të njëjtën shtëpi të rrënuar. Secila prej tyre, ka dramën e saj për të treguar.

“E fillova jetën shumë të re 15 vjeç, me hall jam martuar me hall. Burri vdiq i ri më la fëmijët vetëm, jeta është skandaloze, spital as shkollë asgjë nuk ka as furgon linjë, pak banorë ka këtu. Jeta në dimër është më e vështirë, bie shi na futet brenda. Ne flemë bashkë, energjinë na i presin nuk kemi me çfarë t’i paguajmë, i kam dërguar fëmijën në spital me veshka e epilepsi. I ka ruajtur Zoti kalamajtë, këtu vdes për bukë, vdes për çdo gjë”, thotë Brunilda. “Jam 75 futa djalin në tokë, zi e më zi ka qenë, nuk do më thahen lotët derisa t’i shkoj afër”,thotë 75 vjecarja.

Sot nuse e vjehrre kanë mbetur pothuajse pa asnjë të ardhur ekonomike.

“Punë nuk ka në nuk kemi pension, 80 mijë merr nëna nuk i dalin as për ilaçe, na kanë falur njerëzit, me patate e qepë rrojmë, më parë kishim burrat por tani çfarë tu bëj fëmijëve. Këtu është e vështirë, por këtu nuk ka punë, të jetosh këtu më mirë mos të jesh gjallë, për këta fëmijë më mirë të futesh në dhe”,-thotë Brunilda.

Të mbetura pa mbështetje e pa asnjë zgjidhje, Brunilda dhe nënë Tixhja bëjnë thirrje për ndihmë “Vetëm kam një lutje për ata që kanë fëmije, të bëjnë sevap për këta fëmijët, vetëm një dhomë duam, të kemi afër spitalet kaq kërkoj. Nuk dua të ndryshoj fatin tim por vetëm të fëmijëve. Vetëm këtë dua asnjë tjetër”.

“Amanet dua që të shkoj e kënaqur që kalamajtë i lashë në një shtëpi të sigurt nuk dua që t’i lë në të ftohtë”, thotë 75 vjeçarja.

(BalkanWeb)