Shtyhen regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, dakordohen Zaev dhe Mickoski
Kryetari i LSDM, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski janë dakorduar për shtyerjen e regjistrimit të popullsisë. Pas bisedimeve disaorëshe për çështjet aktuale në vend, krerët e dy partive më të mëdha janë marrë vesh për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, që po vijon në diasporë dhe që nga 1 prilli duhej të fillonte edhe në vend duke përfunduar më 21 prill, përcjell INA.
Zaev dhe Mickoski nënvizuan se regjistrimi shtyhet për shkak të situatës me pandeminë me koronavirusin. “Jemi dakorduar për të shtyer regjistrimin e popullsisë në vend, ashtu në vend të 1 prill – 21 prill do të zhvillohet nga 5 shtator deri më 30 shtator. Për këtë kam pasur konsulta me kreun e shtetit, kryetarin e Entit të Statistikave dhe krerët e partive të koalicionit BDI dhe Lëvizja BESA, të mërkurën do të kem edhe takim me ASH-AAA”, theksoi Zaev.
Ai pranoi se me këtë ka pranuar propozimin e kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski. Diaspora do të vazhdoj të regjistrohet deri më 30 shtator. “Pra shfrytëzoj rastin që të bëj thirrje që diaspora të vijoj të regjistrohet, nuk ka ndërperje”, theksoi Zaevi, duke shtuar se me këtë do të pajtohen edhe partitë e tjera.
Kreu i LSDM shtoi se janë dakorduar për të zhbllokuar punën e Kuvendit, ku përfshihen edhe pakoja ekonomike, Ligji për shtetësinë, ligje të tjera të rëndësishme. Zaev shtoi që nesër do të hyjë në rend dite në Kuvend ligji për zgjedhjet, ku theks i veçantë është shenjëzimi i gishtit (fingerprint), ndryshimi për zgjedhjet lokale për listat e hapura që në zgjedhjet e ardhshme si dhe zgjedhja e kryetarit të komunës që në raundin e parë.
Kreu i VMRO-DPMNE, Mickoski konfirmoi po ashtu se kanë rënë dakord që procesi i regjistrimit të anulohet për në shtator, transmeton Alsat. Sipas tij regjistrimi në terren pritet të realizohet nga 5 deri në 30 shtator, ndërsa aplikacioni për regjistrimin e diasporës mbetet aktiv deri atëherë. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve lokale, Mickoski tha se të njëjtat planifikohen të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. “Takimi i sotëm është pozitiv dhe i suksesshëm. Kemi lënë hapësirë edhe për takime tjera”, tha mes tjerash Hristijan Mickoski, pas takimit me Zoran Zaevin. Mickoski tha se në takimin e sotëm është biseduar edhe për ndryshime në Kodit Zgjedhor. Grupet e punës për Kodin Zgjedhor në Kuvend do të inkurajohen për të bëre ndryshimet e nevojshme për terminalet e shenjave të gishtave, për ndryshime e modelit ne një njësi zgjedhore, për lista te hapura për këshilltare komunash, për zgjedhjen e kryetareve te komunave në një rreth zgjedhor.