GRUBI: Regjistrimi VAZHDON. DIASPORA jonë do të regjistrohet deri më 30 shtator
Maqedonia e Veriut nuk ka organizuar regjistrim të popullsisë në 20 vitet e fundit dhe kjo ishte një nga pikat më të dobëta të vendit në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi për Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas Grubit procesi i regjistrimit nuk është anuluar por është shtyrë që të mbahet në shtator të këtij viti, kurse regjistrimi i DIASPORËS vazhdon, njëjtë siç do të vazhdojmë dhe ne të inkurajojmë bashkatdhetarët tanë që të regjistrohen, kur dihet tani se afati i regjistrimit në platformën e Entit të Statistikave është vazhduar deri më 30 shtator.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjithashtu ka deklaruar se REGJISTRIMI i popullsisë është kërkesë edhe e të gjitha institucioneve ndërkombëtare të cilat kërkojnë nga ne si vend kandidat për anëtarësim në BE që në bazë të përqindjes së popullsisë të planifikojmë dhe të zbatojmë të gjitha politikat zhvillimore në RMV.
Kjo është deklarata e plotë e Grubit për RTK-në:
“Ishte shumë e vështirë të miratohet një Ligj i cili nuk do të ishte pengesë për regjistrimin e mërgatës tonë, por në këtë e arritëm dhe më pas filluam procesin e regjistrimit nga 1 marsi. Gjatë gjithë kësaj kohe për regjistrim të mërgatës sonë kishte thirrje për bojkot nga ana e opozitës maqedonase, duke ftuar qytetarët që të mbyllin dyert kur tu vijnë regjistruesit dhe duke u thënë që të bojkotojnë regjistrimin online të mërgatës sonë. Duke marrë parasysh këto vështirësi dhe nevojën për të siguruar proces të regjistrimit të sigurt dhe të pranuar nga të gjitha palët, u vendos që të bëhet një dialog me partitë politike opozitare, me thirrjen e liderit të VMRO-DPMNE-së z. Mickoski u realizua një takim me kryeministrin Zaev i cili në atë takim shkoi i koordinuar me qëndrimet e partnerëve të koalicionit, pra me tonat dhe dihej ku mund të bëhet kompromis dhe ku nuk mund të bëhet kompromis. Duke marrë parasysh nevojën për të pasur një proces gjithëpërfshirës të regjistrimit të popullatës si dhe për të siguruar qytetarët që të gjithë regjistruesit që do të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre do të jenë të vaksinuar si dhe të mundësohet imunizim sa më i madh i popullatës para se të fillon regjistrimi i qytetarëve rezident, në atë takim u diskutua që t’i propozohet qeverisë dhe kuvendit të ndryshohet Ligji për regjistrimin e popullsisë, me ç’rast vetëm do të shtyhet procesi i regjistrimit të qytetarëve rezident nga muaji prill, në muajin shtator, ndërsa regjistrimi i qytetarëve tanë në diasporë që është lajm shumë i mirë do të vazhdojë që nga 1 marsi deri më 30 shtator, pra në vend që të kemi vetëm 1 muaj e gjysmë për të regjistruar diasporën tonë, tashmë kemi 6 muaj në dispozicion dhe nuk ka fare ndërprerje në procesin e regjistrimit të diasporës por përkundrazi kemi më shumë kohë. Andaj dua të theksoj shumë shumë qartë këtu, bëhet fjalë vetëm për spostim të datave të regjistrimit të qytetarëve rezident në vend nga muaji prill në muajin shtator, në mënyrë që të përfshihet edhe opozita, të mos kontestohet rezultati. 170.000 qytetarët tanë që jetojnë në DIASPORË mbeten të regjistruar dhe urojë që të regjistrojmë që të gjithë që jetojnë në mërgim.”