Rajoni

Qeveria Kurti anuloi një vendim të Qeverisë Hoti, këto janë vendimet tjera që u morën në mbledhjen e sotme

Shpërndaje

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Kryeministri, Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e rregullt të radhës, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar dokumente nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Koncept-dokumenti për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, është dokumenti i parë që ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Ky Koncept-dokument përcakton pasurinë e fituar me kryerje të veprës penale, si nxitës kryesor të kriminalitetit. Kjo pasuri i siguron kryesit të veprave penale burim për vazhdimin e aktivitetit kriminal.

Nisur nga kjo, shumë shtete, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, bënë përpjekje që të parandalojnë aktivitetet kriminale, duke siguruar që kryesit e këtyre veprave nuk do të përfitojnë nga veprimtaritë e paligjshme. Duke larguar motivin për kryerjen e këtyre veprimeve, shteti synon që të parandalojë dhe të pengojë funksionimin e krimit të organizuar. Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme është çelës i luftimit
të suksesshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Janë të identifikuar tre mekanizma kryesorë që përdoren për realizimin e këtij qëllimi:

1. Konfiskimi penal i pasurisë,

2. Konfiskimi administrativ, dhe

3. Konfiskimi civil

Megjithëse është dëshmuar se mekanizmi më i pranueshëm është përmes procedurës penale, ka edhe raste kur një proces i tillë mund të mos jetë i disponueshëm për prokurorinë shtetërore. Kjo nga shkaku se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme që do të lidhnin pasurinë e personit të dënuar me veprën penale.

Ky Koncept-dokument analizon situatën në Kosovë dhe rekomandon zgjidhje për zbatim të suksesshëm të legjislacionit dhe luftimit efikas të krimit dhe korrupsionit në vendin tonë. Kjo do të arrihet përmes ligjit të ri, i cili mundëson realizimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues. Kjo zgjidhje realizon konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në procedurë civile dhe në mungesë të aktgjykimit dënues dhe të nxisë demotivimin e kriminalitetit në vendin tonë.
Pas miratimit të këtij Koncept-dokumenti, Ministria e Drejtësisë do të fillojë hartimin e projektligjit të bazuar në analizën e zhvilluar në këtë dokument.

Në vazhdim të mbledhjes, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Përmes plotësimeve dhe ndryshimeve të bëra, mundësohet zbatimi i gjykimit në mungesë, me theks të veçantë në çështjet e afatit të hetimeve, duke e deroguar nenin që i referohet afatit të hetimeve në vend të nenit që i referohet pezullimit të hetimeve. Ndryshimet do të krijojnë mundësinë e adresimit të hetimit të krimeve të luftës dhe do të heqë pengesat për dënimin në mungesë.

Këto plotësime dhe ndryshime do t’ju mundësojnë prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të zhvillojnë hetime në rastet ku hetimet kanë filluar vite më parë dhe ka pasur fare pak veprime hetimore të kryera.
Grupi i ekspertëve për hartimin e plotësim ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale është duke vazhduar punën dhe shumë shpejt do të procedojë Projekt Kodin e Procedurës Penale në pajtim edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Por, çështjet e adresuara në Projektligjin e miratuar janë imediate dhe të rëndësisë së veçantë dhe për këtë arsye janë trajtuar ndaras.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e strukturave koordinuese ndërinstitucionale për procesin e integrimeve evropiane. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë përbërjen, fushën e veprimit të funksioneve dhe mënyrën e punës së këtyre strukturave koordinuese. Këto struktura janë të domosdoshme për të siguruar përgatitjen e vendimmarrjes për zbatim të reformave për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe mekanizmat e tjerë të integrimit në Bashkimin Evropian.
Vendimi rregullon funksionimin e strukturave koordinuese për integrim evropian përmes:

Këshillit ministror për integrime evropiane;

Komitetit punues për integrime evropiane; dhe

Grupet punuese sektoriale për integrime evropiane.

a) Grupi punues për tregti, industri, dogana dhe tatime;

b) Grupi punues për bujqësi dhe peshkatari;

c) Grupi punues për treg të brendshëm dhe konkurrencë;

d) Grupi punues për çështje ekonomike, financiare dhe statistika;

e) Grupi punues për qeverisje;

f) Grupi punues për inovacion, shoqëri të informacionit dhe politika sociale; dhe

g) Grupi punues për transport, energji, mjedis dhe zhvillim rajonal.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi që Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit të trajtohet projekt me qëllim të mbrojtjes nacionale. Projekti Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit frekuencor do të mundësojë monitorimin e brezit frekuencor për institucionet që kanë të bëjnë me mbrojtjen nacionale, sigurinë nacionale, mirëmbajtjen e rendit publik, aviacionin civil, sigurinë e hekurudhave dhe për funksionet tjera komerciale dhe jo komerciale të shtetit dhe institucioneve shtetërore.
Me një vendim të miratuar në mbledhjen e sotme, është miratuar nisma e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për negocim të Marrëveshjes për amendamentim të Marrëveshjes Kornizë të Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financim të projektit “Reagimi emergjent ndaj COVID-19”. Amandamentimi i marrëveshjes synon sigurimin e një shtese prej 25 milionë eurove të kredisë, që do të përdoret për blerjen e vaksinave kundër COVID-19.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ri-aprovim të Raportit Financiar për vitin 2020, i cili në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive, do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Raporti ri procedohet për shkak të ndryshimit të legjislaturës pas zgjedhjeve dhe të disa ndryshimeve teknike.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka informuar kabinetin qeveritar me Raportin për funksionimin e komunave të Republikës së Kosovës, bazuar në Ligjin për vetëqeverisjen lokale. Raporti pasqyron aktivitetin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në monitorimin e komunave përmes tele-prezencës, monitorimit fizik, bashkëpunimit në mes të nivelit lokal dhe qendror të qeverisjes, si dhe koordinimit ndërinstitucional. Raporti paraqet rezultatet e punës së organeve komunale, analizon transparencën komunale, aktivitetet e komunave që dalin nga Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, planifikimin e buxheteve komunale, realizimin e të hyrave dhe shpenzimet buxhetore dhe pasqyron opinionet e raporteve të auditorit të përgjithshëm për komunat.

Gjithashtu nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal Qeveria e Republikës së Kosovës është informuar edhe me Raportin për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të nxjerra nga kuvendet e komunave për vitin 2020. Gjatë këtij viti, kuvendet e komunave të Republikës së Kosovës kanë miratuar gjithsejtë 1802 akte të ndryshme, 111 rregullore dhe 1691 vendime. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar 1171 akte, ndërsa në ministritë e linjës janë dërguar 631 akte. Sipas Raportit, 1118 akte janë vlerësuar të ligjshme, 53 akte janë rikthyer për rishqyrtim nga kuvendet komunale nga të cilat komunat i kanë harmonizuar 47 akte sipas kërkesës së Ministrisë. 6 akte janë përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë për procedim në gjykatë.

Me miratimin e vendimit nga kabineti qeveritar është anuluar Vendimi, me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Vendimi është arsyetuar se në mesin e kandidatëve të dërguar për votim në Kuvend, ka kandidatë që nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara me nenin 6, paragrafi 2, nën paragrafi 3, të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Lista e kandidatëve të vlerësuar si të suksesshëm nga Komisioni Rekrutues nuk përkon në tërësi me vlerësimet e dhëna nga ambasada britanike, si partner në procesin e rekrutimit sipas Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës , dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Madje në raportin e përgatitur nga partnerët britanikë, thuhej se edhe pas përpjekjes për të arritur konsensus, rezultati përfundimtar i komisionit intervistues dhe ai i vëzhguesve të partnerit implementues kishin dallime të mëdha.
Prandaj, me qëllim të rekrutimit të personave të pavarur, profesionalë e me integritet në pozitat e larta të institucioneve dhe organeve publike përmes një procesi të drejtë dhe transparent të rekrutimit, Qeveria vendosi anulimin e vendimit.