S’ka marrëveshje për pakon e pestë ekonomike në Maqedoni
Shumica parlamentare nuk i pranon si të mirëqena deklaratat e opozitës për mbështetjen e ligjeve të pakos së pestë ekonomike. Ata kërkojnë një garancë më të fortë që këto ligje të vendosen në votim.
“Të gjithë ne deputetët jemi këtu. E dini që dy deputetë nga radhët tona janë të sëmurë nga virusi dhe s’mund të jenë këtu. Sa i takon premtimit të OBRM-PDUKM-së, meqë edhe ata tani duan dhe e kuptuan më në fund rëndësinë e këtyre ligjeve dhe i zhbllokuan, shumë herë kanë thënë një gjë dhe kanë bërë diçka tjetër”, tha Dime Vellkovski, LSDM.
“Problemi qëndron në qasjen e papërgjegjshme të opozitës së bashkuar, OBRM-PDUKM, Aleanca dhe Alternativa. Besoj se kryetari i Kuvendit do të caktojë seancë edhe për këtë pako të ligjeve të cilat dalin nga pakoja e pestë e masave ekonomike, atëherë kur do të marrë garanca të sigurta nga opozita se do të marrin pjesë në seancën për miratimin e tyre”, pohoi Arbër Ademi, BDl.
Por opozita, përveç deklaratave për mbështetjen e pakos së pestë ekonomike për ndihmë ndaj kompanive dhe qytetarëve, ishte prezente edhe në komision ku këto ligje u miratuan. Ata nuk e kuptojnë kërkesën e shumicës për garancë plotësuese dhe e konsiderojnë veprimin e tyre një lojë.
“Jemi dëshmitarë të një teatri politik, të lojërave politika pa kufij. Deri sa luhet kjo shfaqe në Kuvend qytetarët nuk kanë marrë rrogë kurse kompanitë janë në kufi të ekzistencës. Absolutisht s’mundem ta kuptoj. Të jepet qoftë edhe një arsye se pse dje nuk kishte seancë, pse sot nuk është thirrur seancë dhe pse nuk e dimë se kur do të miratohet pakoja e pestë e masave ekonomike”, pohoi Timço Mucunski, OBRM-PDUKM.
“Tani nuk shohim asnjë arsye që Kuvendi të mos thirrë seancat në fjalë për t’i kaluar pakot ashtu si duhet. Në fakt, i bie që të gjitha lotët që deri tani kanë derdhur dhe kanë akuzuar opozitën se po i pengon pakot ekonomike për kovid-19 paskan qenë vetëm lot krokodili. Nuk ka asnjë arsye shumica parlamentare tani të mos i votojë ligjet”, theksoi Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Pas koordinimit të jashtëzakonshëm me grupet parlamentare, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, në komunikatën nga kabineti i tij nuk e përmend aspak nevojën për garancë plotësuese nga opozita për të caktuar seancën.
Ai thekson se nuk guxon të ketë prioritizim të pikave të caktuara sepse liderët e partive politike janë marrë vesh për këtë jashtë Kuvendit, partitë politike të braktisin praktikën e mbajtjes peng të procesit të miratimit të ligjeve, mospasjes së kuorumit ose parashtrimin e numrit tejet të madh të amendamenteve për një ligj. Si pasojë, Xhaferi informoi se do të vazhdohet me seancën tashmë të filluar. Në të nuk janë ligjet e pakos së pestë ekonomike./Alsat/