Maqedoni

Opozita shqiptare: Zotërinjtë e pushtetit ta durojnë aromën e mbeturinave për të paktën një ditë

Shpërndaje

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, sot në Ditën Ndërkombëtare të Ambientit para Ministrisë së Ekologjisë kanë protestuar duke hedhur mbeturina, të cilat më pas u pastruan nga vetë aktivistët. Ata kërkojnë përgjegjësi nga Ministria e Ekologjisë dhe Qeveria për krijimin e deponive ilegale.

“Thuajse në çdo komunë, veçanërisht atje ku jetojnë kryesisht shqiptarë janë formuar deponi ilegale. Shpesh herë këto deponi ndodhen në afërsi të lagjeve të banuara, të rrugëve me te frekuentuara, por edhe afër shkollave dhe çerdheve. Qytetaret dhe veçanërisht fëmijët, për çdo ditë ballafaqohen jo vetëm me errën e keqe, por edhe me rrezikun nga sëmundjet ngjitëse dhe kafshët endacak që grumbullohen rreth deponive. Shpresojmë që zotërinjtë e pushtetit ta durojnë të paktën një ditë dhe kjo aromë e kjo pamje t’i kthjellë dhe të reflektojnë urgjentisht.”, tha mes tjerash Omer Ajdini nga ASH-AAA.