RajoniTop Lajme

16 vjet VETËVENDOSJE!

Shpërndaje

16 vjet VETËVENDOSJE!

Në Javën e Lëvizjes, ditën e sotme, kur përkujtohet edhe çlirimi i Kosovës, nga ambientet e para ku filloi organizimi i Lëvizjes 16 vite më herët, mbajtëm konferencë për media me rastin e përvjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në prani të gazetarëve, Kryetari i Lëvizjes dhe Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit dhe anëtarin e kryesisë së Lëvizjes, Glauk Konjufca, të shoqëruar nga aktivistet, Liridona Gashi dhe Lirika Komoni, ndanë mbresat dhe rëndësinë e historikut të Lëvizjes.

Në atë hapësirë ku u organizuan mbledhjet dhe aksionet e para, u tha se organizata jonë ka një datë ngjizjeje e historik aktivitetesh, mirëpo ideja që na ka shtyrë e na mban nuk është krijuar nga organizata, por nga përpjekja historike e popullit shqiptar për vetëvendosje. Betejat e përpjekjet e një populli nuk përzgjidhen nga subjektet politike; janë subjektet politike që përzgjidhen prej betejave të një populli. Populli është më i madh se subjektet politike dhe njëkohësisht më i madh se betejat e tij politike. Ekzistojnë mundësi e potenciale të pamatshme të një populli dhe nuk ka pengesë a shtypje që t’ia grabisë ato. Me këtë besim dhe ide, 16 vite më parë kemi nisur për të mos u ndalur një organizim politik për çlirimin e mundësive dhe aftësive të popullit tonë.

Nga vetëvendosja përballë e përkundër UNMIK-ut dhe deri te qeverisja e vendit, me shumë guxim e krijimtari dhe nëpër një mori protestash, tubimesh, parullash e aksionesh, duke qëndruar gjithnjë në mesin e qytetarëve dhe me ta, kemi arritur që identifikimin tonë me popullin ta zhvillojmë edhe në identifikimin e popullit me ne. I pari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shpreh shpengueshëm se Lëvizja VETËVENDOSJE!, e cila do të jetë bërë pjesë e trashëgimisë politike të Kosovës, nuk ka pretenduar se ka shpikur ndonjë gjë të re, por i ka qëndruar besnike vullnetit historik të popullit shqiptar, “me jetu rehat në shtëpinë tonë dhe me mund me përcaktu lirshëm fatin e vet politik.”

Kryeministri Kurti tha se pa angazhimin e aktivistëve e të qytetarëve Lëvizja nuk do të mbërrinte aty ku është sot. Në veçanti, ai kujtoi veprën e Mon Balajt e Arben Xheladinit, Astrit Deharit dhe e të gjithë atyre aktivistëve të cilët e kanë bërë Lëvizjen sipas punës së tyre dhe të cilët nuk gjenden më në mesin tonë. Tashmë që jemi në qeverisje, Kryetari Kurti ritheksoi se asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar në Lëvizje prej themelimit të saj, “programi i VETËVENDOSJE!-s është po ai, alternativa po ajo, andaj edhe synimet mbeten të njëjta.”