Ruçi largohet nga politika: Pas 30 viteve erdhi momenti, në shtator dorëzoj mandatin e deputetit
Gramoz Ruçi është larguar përfundimisht nga politika. Pas 30 vjetësh në Partinë Socialiste, kreu aktual i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka zgjedhur pikërisht 30vjetorin e kësaj force politike që të njoftojë tërheqjen e tij nga politika.
Ruçi mes të tjerash theksoi se nuk do ta marrë mandatin që fitoi në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 25 prillit dhe kështu jeta e tij politike do të mbyllet në shtatorin e ardhshëm.
“Do deklaroj fundin e kësaj maratone dhe si çdo maratonë ka startin dhe finishin, prandaj kam zgjedhur që s’ka më mirë se në këtë 30 vjetor të PS, s’ka më mirë që sot kemi fituar këtë mandat të drejtë, pas disa muajsh mbush 70 vjeç që të deklaroj para jush se në 9 shtator që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj mandatin që më ka dhënë PS dhe se nuk do të kem ambicie për të qenë në asnjë organ ekzekutiv të familjes sime. Prandaj për ta mbyllur falënderoj Nanon dhe Ramën që e kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtori i tyre. Të falenderoj të gjithë”, tha Ruçi.
Ndërkohë mandatin e Ruçit në qarkun e Fierit, e merr Mirela Pitushi. Kjo e fundit ka siguruar më shumë vota se të tjerët jashtë listës së përzgjedhur nga PS. Kështu me 3508 vota personale, Mirela Pitushi do të jetë deputetja e re në Kuvend që zë vendin e Ruçit. e.l/abcnews.al/