Sport

Futbollistët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut s’e kënduan himnin maqedonas (Video)

Shpërndaje

Duket se futbollistët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nuk e kënduan himnin kombëtar maqedonas para fillimit të ndeshjes debutuese të shtetit fqinj në Kampionatin Evropian 2020 kundër Austrisë të dielën.

Maqedonia e Veriut pësoi disfatë në ndeshjen e saj debutuese në një Kampionat Evropian, pasi u mund 3:1 nga Austria në ndeshjen hapëse të Grupit C në Euro 2020.

Stefan Lainer, Michael Gregoritsch dhe Marko Arnautovic shënuan për t’ia siguruar Austrisë fitoren e parë në historinë e vet në një turne të madh, ndërkohë që goli debutues i Goran Pandevit shërbeu vetëm sa për ta ngushëlluar ekipin maqedonas të dielën në Arenën Kombëtare në Bukuresht.

Katër futbollistë me shqiptare luajtën titullarë për Maqedoninë e Veriut në këtë ndeshje. Arijan Ademi, Visar Musliu, Ezgjan Alioski dhe Enis Bardhi ishin, ndërsa Ferhan Hasani dhe Egzon Bejtulahi u lanë në stol. Bardhi bëri lojë të mrekullueshme por nuk arriti ta frymëzojë shtetin fqinj drejt fitores në debutim.

Por asnjëri prej tyre që u kap nga kamera gjatë intonimit të himnit të Maqedonisë së Veriut nuk u pa duke e kënduar atë.

Maqedonia e Veriut – e cila e mundi Kosovën rrugës për ta siguruar pjesëmarrjen në Euro 2020 – do të përballet me Ukrainën në ndeshjen e ardhshme në Grupin C.