RajoniTop Lajme

Kurti shpalos katër propozimet që pati në takim me Vuçiçin

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit që pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të përfaqësuesve evropianë, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Kurti tha se Kosova do të marrë pjesë në procesin e dialogut, të cilin e cilësoi si të vështirë. Në takimin e sotëm, ai tha se pala kosovare ka dhënë propozime të reja, ndërsa pala serbe ka vazhduar me propozimet e vjetra.

“Fillimisht kam propozuar marrëveshjen sipas medelit të SEFTA-s. Propozimi i dytë ishte për nënshkrimin e një deklarate për paqe, në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku zotohemi se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën dhe kështu do të kontribuojmë për paqen në rajon. Propozimi i radhës ishte për çështjen e të pagjeturve, duhet të largohen nga delegacioni serb disa emra, të cilët kanë qenë udhëheqës famëkeq në vitet e 90-ta. Deri më tani janë gërmuar vetëm 5 varreza masive, ndërsa janë edhe 11 të tjera që ende s’është bërë gjë për to. Propozimi i katërt ishte për reciprocitetin bilateral”, tha Kurti.

A i bëri të ditur se takimi i radhës në Bruksel pritet të zhvillohet para pushimit të verës, diku më 25 korrik.

“Ende nuk ka dakordim për dialogun e ardhshëm. Ne zgjidhjen në dialog e shohim njohjen e ndërsjellë. Këtë e ka thënë edhe presidenti amerikan, Biden. Serbia duhet ta njoh Kosovën. Kështu dy Republikat tona krijojnë raporte të mira sipas modelit evropian”, shtoi ai.

“Kam shpresë se nëse i diskutojmë sinqerisht çështjet kryesore, atëherë nuk ka vend për skepticizëm. Megjithatë, qasja e Serbisë është e njëjtë. A do të jetë e vështirë? Patjetër që po. Presidenti Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë, ndonëse aktualisht nuk e kemi një gjë të tillë”, tha Kurti.

Tutje, ai komentoi edhe tensionet, për të cilat Vuçiq tha se ndodhen gjatë takimit të sotëm në Bruksel.

“Ky ishte një takim në të cilin u ruajt distanca fizike. Ne ishim dy metra larg njëri tjetrit. Për bindjen time nuk kishte befasi në këtë takim, por unë mbroj interesat e popullit të Kosovës”, shtoi i pari i Qeverisë.

Në fund të deklaratës së tij, ai foli edhe për padinë e paralajmëruar ndaj Serbisë për gjenocid.

“Ne ju bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës, qytetarëve dhe partnerëve që të na ndihmojnë në këtë proces. Meqë ka ndodhur gjenocidi, atëherë do të ndodh edhe padia. Se sa do të zgjas është çështje e ekipeve punuese”, shtoi ai.

Sa i përket Asociacionit, Kurti tha se nuk mund të lejojnë që në Kosovë të përsëritet skenari i Bosnjës.

“Asociacioni një-etnik është rrëzuar nga Gjykata. Për këtë, edhe qytetarët kanë pasur peticion, e opozita ka bërë veprime radikale për ta kundërshtuar. Ky Asociacion nuk është bërë për serbët, por është kundër Kosovës. Ne duam që qytetarët e komunitetit serb në Kosovë t’i kenë të drejtat, si gjithë të tjerë”.

“Ne nuk mund t’i territorializojmë ambiciet e Serbisë për Kosovën, për humbjen që pësuan në kohën e Millosheviqit”, tha Kurti tutje./KP