Gjermania premtoi helmeta për Ukrainën, ironizon Klitschko: Të na sjellin edhe jastëkë

Shpërndaje

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, e quajti qesharake ofertën e Gjermanisë për të ndihmuar Ukrainën me 5000 helmeta për ushtarët e saj. Klitschko tha se kishte mbetur pa fjalë nga vendimi i Gjermanisë për të mos ndihmuar ushtarakisht Ukrainën dhe për të mos braktisur linjën “Nord Stream 2” të furnizimit me gaz nga Rusia.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, ish-kampioni i boksit tha: “Ministria gjermane e Mbrojtjes me sa duket nuk e ka kuptuar që kemi përballë një ushtri të armatosur në mënyrë të përkryer që mund ta nisë pushtimin në çdo kohë. Çfarë mbështetjeje do të na japin pas kësaj, jastëkë?”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendi i tij e mbështet Ukrainën dhe ndjek linjën e vendeve të tjera të NATO-s, duke dënuar agresionin rus. Scholz tha gjithashtu se Gjermania i qëndron besnike politikës së vet për të mos dërguar armatime në zonat e konfliktit.

Por mungesa e ndihmës në armatime për Ukrainën shihet si e ndikuar nga varësia e këtij shteti nga gazi rus. Gjermania merr rreth 40% të furnizimit me gaz nga Rusia dhe do të kishte të vështirë të gjente opsione alternative nëse Putin vendosë të “mbyllë rubinetet”.