Filloi “Java Çame në Shkup”, është paraparë edhe një marsh deri te Ambasada e Greqisë
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut filloi Javës Çame, në kuadër të së cilës janë paraparë disa aktivitete publike, përfshirë edhe një marsh deri te Ambasada e Greqisë në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Programi i hapjes së Javës Çame në Shkup përfshiu hapjen e një ekspozite për Çamërinë, ku u paraqitën figura historike dhe vendbanime çame, si dhe recitim të poezive dhe valle me motive çame.
Aktivitetet kryesore të Javës Çame në Shkup janë paraparë të mbahen të enjten, duke përfshirë një panel diskutim me të ftuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe “Marshi i Paqes për Çamërinë”, marsh i cili është paraparë të përfundojë para Ambasadës së Greqisë në Shkup.
Në emër të Këshillit Organizativ të Javës Çame në Shkup, Xheneta Mamuti ndau entuziazmin që për herë të parë edhe në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut organizohet Java Çame.
“Ju ftoj juve që jeni këtu, por edhe të gjithë shqiptarëve kudo janë, që të enjten më 24 qershor 2021, në ora 14:30, në numër sa më të madh të mbështesin marshin për Çamërinë dhe të dëshmojmë se Shkupi dhe në përgjithësi të gjithë shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë në mbrojtje të secilit shqiptar në botë dhe në mbrojtje të viktimës, kushdo qoftë ai dhe kurdo qoftë ajo kohë. Sot Shkupi është Çamëri dhe sot ne jemi çamë”, tha Mamuti.
Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 77-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë në Shqipëri është “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Foto: Abdula Berisha / AA