RajoniTop Lajme

Kurti: Franca nuk dha zotim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysée.

Kurti në një prononcim për RTK-në tha se nuk ka marrë një zotim nga Franca për heqjen e vizave për kosovarët.

Pavarësisht kësaj, sipas Kurtit, Franca e ka marrë mesazhin për heqjen e vizave.

“Sigurisht që qytetarët e Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të kritereve ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik bëhen tri vjet prej se Komisioni Evropian ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen vizave. Në vizitën tonë kjo temë është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, por s’ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, u shpreh Kurti.

Kishim takim paraprak mes ministrit Xhelal Sveçla dhe kolegut të tij francez i cili u përqendrua në aspektet teknike të sundimit të ligjit. Gjatë këtyre muajve ne kemi luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka luftim të suksesshëm të trafiqeve në bashkëpunim me Italinë, Shqipërinë, ShBA-të , si dhe drastikisht ka rënë numri i migrimeve. Mbase mund të shpresojmë që sado pak kjo vizitë do të ndikojë që Franca ta eliminojë skepticizmin e saj, por s’mund të them se morëm premtim në këtë aspekt. Duhet të punojmë edhe me Holandën, shpresojmë që nuk ka edhe vende të tjera”, shtoi tutje ai.

Në këtë takim, Kurti ka thënë se integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror i Kosovës nuk janë të diskutueshme në tavolinën e dialogut me Serbinë.

“Ishte një takim substancial, miqësor me presidentin Macron. U përqëndruam tek marrëdhëniet bilaterale që mund të avancojnë investimet në ekonomi. Ne kemi një diasporë të fuqishme në Kosovë dhe ajo bashkë me investitorët francezë të vijnë në Kosovë pasi tash ka sundim të ligjit. Diskutuam për situatën në rajon, për dialogun me Serbinë. Unë theksova të vjetrën ku Serbia kërkon se çfarë të mund të japim ne për njohjen e saj, por do të duhej të mos evitojmë elefantin në dhomë, e kjo është njohja reciproke. I përket Beogradit të përgjigjet se kur”, tha Kurti.

“Sigurisht pavarësia e Kosovës, integriteti i saj territorial, sovraniteti shtetëror nuk janë te diskutuesume. Me Serbinë, jemi të gatshme për statusin e marrëdhënieve tona jo te Kosovës, se ajo ka përfunduar me shpallje të pavërësisë. Ne jemi të përkushtuar për dialog konstruktiv mirëpo duhet të përfundojë e vjetër”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.

Lajmi: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron