MaqedoniTop Lajme

Bie edhe shpresa e fundit për bisedimet

Shpërndaje

Ra edhe shpresa e fundit se Maqedonia e Veriut kësaj here mund të nisë bisedimet aderuese me Bashkimin Evropian. Para se të niste takimi i liderëve të vendeve anëtare në Këshillin e BE-së, Presidenti i bullgar, Rumen Radev, bëri të qartë se as sot nuk do të thonë “po”.

“Nuk mund të themi “po” para se të shohim mekanizma të qëndrueshme për çrrënjosjen e narrativit të shtrembëruar qëndrimit të qëllimshëm ndaj Bullgarisë – nga librat shkollorë, muzetë, monumentet, te media dhe politikën shtetërore. Ne nuk mund të themi “po” derisa të bindemi se fqinji ynë nuk do ta ndërtojë identitetin e vet mbi vjedhjen e historisë Bullgare”, tha Radev.

Kryeministri Zoran Zaev, para Kuvendit sot ripërsëriti qëndrimin se nuk e kanë ndërmend të flasin për gjuhën dhe identitetin maqedonas, ndërsa këtë ua ka thënë edhe krerëve evropianë.

“Jo, edhe nga Brukseli, para von der Lajn, para Borelit, para Shar Mishelit, para gjithë liderëve evropianë të institucioneve konfirmuam se nëse është tryezë, aspak nuk bisedojmë, e jo më të flasim nëse duhet ashtu a kështu. Nuk flasim aspak! Publikisht edhe në këtë foltore them nuk na duhet Bashkimi Evropian nëse dikush dëshiron të flasë për gjuhën tonë maqedonase dhe identitetin maqedonas, sepse do të tjetërsohemi, nuk ka kush të futet në BE, shumica e popullit këtu janë maqedonas”, tha Zaev.

E Presidenti bullgar, nga Brukseli maqedonasit i quajti vëllezër, ndërsa siguroi se, Bullgaria mbetet e hapur për bisedime të shpejta dypalëshe. Hapërimi i shpejtë i Shkupit drejt Bruskelit, sipas tij, varet vetëm nga dialogu me Sofjen. U ankua se kohëve të fundit ka pasur shtypje të madhe mbi Bullgarinë.

“Në një muaj e gjysmë, Bullgaria ka qenë nën presion të pabesueshëm nga partnerët evropianë që në Këshillin e sotëm Evropian t’i nisë bisedimet anëtarësuese me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Radev.

Pas këtij bllokimi të radhës nga Sofja, e cila përveç Maqedonisë së Veriut, pengon edhe Shqipërinë për nisje të negociatave, tani dy vendet që janë në pakon e përbashkët eurointegruese duhet të presin samitin e radhës për një zgjidhje eventuale, nëse Shkupi dhe Sofja gjejnë një gjuhë të përbashkët. Kryeministri i vendit Zaev dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama, dje nga Shkupi dërguan mesazhe të forta drejt Bashkimit Evropian, për shkak se 26 vende nuk arritën të pengojnë bllokadën e Bullgarisë./TV21