Rama inspekton Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë: Vlorës po i rikthehet sheshi simbol
Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e sotme ecurinë e punimeve në sheshin e Flamurit që po ndryshon pamjen e derisotme të qendrës dhe infrastrukturën lidhëse të Transballkanikes me zonën e portit në Vlorë. Projekti që ka nisur dhe po ecën me ritme të shpejta për rikualifikimin urban të sheshit dhe ndërtimin e Parkut parasheh edhe integrimin e kësaj hapësire me Lungomaren deri tek tuneli.
Projekti i sheshit dhe parkut, shpjeguan zbatuesit e punimeve, është konceptuar me të paktën 16 lloje të ndryshme palmash, ku mbi 80% shtohen të reja.
“Do të punohet me nivele të ndryshme, për të krijuar një konfiguracion të plotë”, – u shprehën ata.
E gjithë hapësira është pastruar nga ndërtimet informale, duke u krijuar një hapësirë deri dje e padukshme nga ndërtimet që kishin zënë pamjen dhe lidhjen e Sheshit të Flamurit me detin. Ndërkohë sipas nënkryetarit të Bashkisë Vlorë, Afrin Qendro, kanë përfunduar punimet nëntokësore.
“Disiplinuam ujërat e bardha sepse këtu ujërat e bardha bashkoheshin me të zezat”, – u shpreh Qendro.
Rreth 80% e sipërfaqes së projektit tashmë ka marrë formë, ndërsa punimet janë intensifikuar dhe po shkojnë drejt përfundimit. Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë që Vlorës i rikthehet sheshi simbol me një hapësirë cilësisht të re, e integruar me pjesët e tjera të qytetit, duke shtuar se “nga sheshi i Flamurit deri tek tuneli shkon pa ndërprerje, duke ecur ose me biçikletë”.