Kurti: Serbisë duhet t’i bëhet presion që të njoh krimet e bëra në Kosovë, Bosnje e Kroaci
Kurti ka thënë se Srebrenica është masakra më e madhe e cila ka ndodhur në kontinentin evropian pas luftës së dytë botërore.
“Sot po e mbështesim një rezolut me rastin e 26-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës. Ky është veprim fisnik dhe i duhur jo vetëm në emër të Kosovës por mbi të gjitha ne emër të universalës tonë njerëzore, dëshirës tonë për paqe e drejtësi. Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin evropian pas luftës së dytë botërore.”, tha Kurti.
Kurti ka pyetuar se cilët janë ata kriminel që nuk u mjaftuan me vrasje por bëjnë krim mbi krim duke mos treguar se ku i kanë hedhur trupat e vrarëve.
Ai thotë se bashkëpunëtorët e Millosheviqit janë të lirë e sipas tij ka të atillë që janë në pushtet e vendimmarrës.
“Gurët e varreve ankohen për mungesën e ndëshkimit të fajtorëve. Millosheviqi kasapi i Ballkanit vdiq i pa dënuar. Bashkëpunëtorët e tij, mbi 4 mijë ushtarak serb të dërguar në Bosnje dhe Hercegovinë nga Serbia, shumica jo vetëm që janë të lirë po ka të atillë që janë në pushtet e vendimmarrës. Sigurisht ata sot nuk mund të përsëritin krimin e gjenocidin por bëjnë atë çka munden duke fshehur trupat e viktimave ndonjëherë duke fshehur edhe kriminelet apo duke lavdëruar ata”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se udhëheqjes politike të Serbisë duhet t’i bëhet presion që të pranojë krimet që i ka bërë në Bosnje, Kosovë e Kroaci.
“Udhëheqjes politike të Serbisë duhet t’i bëhet presion i pandalshëm nga të gjithë gjithandej deri sa të njoh dhe pranoj që ka bërë krime që ka bërë në Bosnje, Kosovë e Kroaci, të kërkoj falje e të nis një proces i ndëshkimit të kriminelve”, ka thënë ai. /Zëri