RajoniTop Lajme

Ulet në Kukës avioni nga Zyrihu

Shpërndaje

Nga sot fillojnë fluturimet e rregullta me disa destinacione të shteteve europiane

“Ky është avioni i linjës Zyrih-Kukës, i cili ka sjellë, tashmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit, 67 pasagjerët e parë të cilët kanë pasur mundësinë të vijnë të vizitojnë vendin e tyre. Kjo rrugë nuk do të jetë e fundit për këtë avion, pasi do të jetë 3 herë në javë në linjën Kukës-Zyrih, Zyrih-Kukës”.

Avioni i linjës Zyrih-Kukës preku pistën rreth orës 12:45 të së premtes, në një ceremoni ku ishte dhe Ministri i Turizmit, Blendi Klosi.

Klosi e konsideron hapjen e aeroportit “Zayed-Flatrat e Veriut” si një hap të rëndësishëm që do i japë zhvillim turizmit në çdo stinë të vitit.

“Kjo hyrje e re nga qielli për gjithë shqiptarinë është një vepër e madhe e cila do t’i shërbejë shumë të gjithë trevave shqiptare. Do t’i shërbejë njëkohësisht shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit, po ashtu shqiptarëve të Malit të Zi të cilët tashmë do të kenë një portë hyrëse nga qielli shumë më afër destinacioneve të tyre. Aeroporti bëhet fiks aty ku ne kemi dhe politikat tona. Gjatë verës të shfrytëzojmë detin, që e kanë relativisht afër dhe të shfrytëzojmë shumë turizmin e detit dhe gjatë dimrit të kemi mundësinë të shfrytëzojmë bjeshkët e të dyja anëve të kufirit dhe të kemi mundësinë të vizitojmë në 12 muajt e vitit mrekullitë e natyrës shqiptare”.