“Mini Shengeni”, ja kur do mbahet takimi mes Zaev, Ramës dhe Vuçiç
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 28 dhe 29 korrik do të qëndrojë në Shkup ku do të takohet me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama në kuadër të iniciativës për bashkëpunim të njohur si “Mini Shengeni”, ka njoftuar sot Shërbimi për bashkëpunim me mediat e shefit të shtetit serb.
Siç ka bërë të ditur korrespondenti i MIA-s në Beograd, sipas paralajmërimit, Zaevi, Vuçiqi dhe Rama në Shkup do të marrin pjesë në Forumin ekonomik për bashkëpunim rajonal të organizuar nga Odat ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë.
Sipas të dhënave të ueb faqes së Forumit ekonomik, pjesëmarrës në takimin deri tani kanë paraqitur rreth 300 kompani ku 175 nga Serbia, 79 nga Maqedonia e Veriut, 28 nga Shqipëria, nëntë nga BeH si dhe firma të Austrisë, Tajvanit, Polonisë dhe Greqisë.
Agjencia për zhvillim të Serbisë ka paralajmëruar se si pjesë e aktiviteteve të ngjarjes, janë paraparë takime pune me biznesmenë të rajonit pas mbajtjes së pjesës zyrtare të forumit.
Siç paralajmëroi dje presidenti i Serbisë në Shkup do të nënshkruhen marrëveshje për ndryshim të emrit të iniciativës “Mini Shengeni” dhe se do të bëjnë “korsi të posaçme të shpejta” në vendkalimet kufitare për kalim më të shpejtë të qytetarëve nga rajoni,
“Ne punojmë në tre dokumente dhe besoj se në Shkup do t’i nënshkruajmë, ato janë dokumente të rëndësishme për tregtinë, leje punuese dhe përkrahjen e ndërsjellë në rast të zjarreve, përmbysjeve dhe katastrofave tjera, gjë që është në interes të popujve tanë”, tha Vuçiqi.
Ai tha se në Forumin ekonomik do të takohet me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë dhe ka shprehur bindje se “shumë do të bëhet për përparimin ekonomik të tërë rajonit dhe Serbisë”.
Nisma që deri tani quhej “Mini Shengen” ka për qëllim vënien e tregut të përbashkët rajonal e cila si formë kalimtare duhet të afrojë rajonin drejt BE-së dhe të përshpejtojë rrugën e anëtarësimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Tregu i përbashkët i Ballkanit Perëndimor konform kësaj nisme bazohet në parimet e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit si dhe në tregun e vetëm të BE-së.