RajoniTop Lajme

Kurti: Një ditë shumë e rëndë për popullin tonë

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur një tragjedi dhe dhimbje të madhe për popullin e Kosovës humbjen e jetës së dhjetë personave në aksidentin rrugor në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci.

Ai gjatë mbrëmjes ka arritur me një helikopter në Slavonski Brod, ku ka vizituar personat e lënduar në spital.

Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij kroat Andrej Plenkoviq, kryeministri Kurti ka shprehur ngushëllime për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, ndërsa të lënduarve iu uroi shërim sa më të shpejtë.

Ai ka siguruar familjarët se më të dashurit e tyre ndodhen në duar të sigurta të mjekëve kroatë.

“U shpreh ngushëllime tona të gjithë familjarëve të atyre dhjetë personave që humbën jetën në aksidentin e sotëm të tmerrshëm. Po ashtu iu dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë të gjithë atyre që janë të lënduar lehtë dhe rëndë. Kjo është një ditë shumë e rëndë me dhimbje e pikëllim për gjithë popullin tonë. Qindra-mijëra qytetarët të vendit tonë kthehen për pushime në vendlindje dhe shteti jonë varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tepër e rëndë prej neve, por bashkë do t’i dalim në lehtë dhe më shpejt”, tha Kurti.

Ai ka falënderuar kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, dhe profesionistët shëndetësorë për kujdesin e pakursyer ndaj pacientëve në spital, duke thënë se ata janë në duar të sigurta të mjekëve dhe psikologëve kroatë.

Gjatë kësaj vizite, Kurti ishte i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij qeveritar.

Momenti kur Kurti arrinë në Kroaci:

VIDEO