Caktohen afatet zgjedhore, prej 27 shtatorit do të fillojë fushata parazgjedhore
Në Maqedoninë e Veriut prej 27 shtatorit deri më 15 tetor do të ketë fushatë promovuese për Zgjedhjet Lokale, kur edhe do të fillojë pastaj heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Deri më 23 shtator, KSHZ do të duhet të realizojë shortin për radhitjen e kandidatëve në fletën e votimit, ashtu që partitë në çdo komunë do të kenë numrin e njëjtë. Po atë ditë do të nënshkruhet edhe Kodeksi për zgjedhje fer dhe demokratike.
Nga 16 deri më 31 gusht është afati për dorëzimin e nënshkrimeve për listat e pavarura.
KSHZ-ja kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme të dërgojë listën e qytetarëve që kanë të drejtën për votë, duke përfshirë edhe qytetarët që në ditën e zgjedhjeve mbushin 18 vjet. Me ndryshimet e fundit zgjedhore, MPB-ja duhet të dorëzojë edhe të dhënat e fundit për identifikim përmes gishtërinjve.
Votimi nuk do të realizohet në diasporë, sikurse në Zgjedhjet Parlamentare, ashtu që gjithë qytetarët me të drejtë vote duhet të votojnë në qendrat e votimit brenda shtertit.
Ndryshe, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në orët e pasdites i shpalli zgjedhjet lokale për datën 17 tetor në të gjitha komunat e vendit, për këshillat dhe kryetarët e komunave.
Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në seancën e sotme të paradites, theksoi se është refuzuar ankesa për furnizim të pajisjeve për identifikim biometrik të votuesve për gjurmë të gishtave, me çka në periudhën vijuese do të nënshkruhet marrëveshje me operatorë ekonomik për furnizim të të njëjtave.