Maqedoni

Skandal në Misionin e Maqedonisë në OSBE: Serbët arrestojnë diplomatin maqedon

Shpërndaje

Ka disa ditë që policia serbe ka privuar nga liria një diplomat të lartë të Maqedonisë, por ky lajm vazhdon të heshtet nga autoritetet e vendit. Bëhet fjalë për zëvendësin e Shefit të Misionit të Maqedonisë në OSBE në Vjenë, diplomatin Mile Milenkoski.

Siç mëson gazeta KOHA nga burime jozyrtare, bëhet fjalë për një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga policia austriake, për një vepër të vjetër që daton nga viti 2018, ku sipas të gjitha gjasave, janë të përfshirë edhe struktura të larta të sigurisë së Maqedonisë.

Mile Milenkovski dyshohet se para tre viteve, së bashku me dy diplomatë tjerë maqedonas ( identiteti i tyre i njohur për redaksinë), kanë organizuar një udhëtim në Erevan të Armenisë për të evakuuar një personalitet të lartë armen, të dyshuar në vendin e tij për keqpërdorimëshe shumëmilionëshe. Nuk dihet motivet e këtij aksioni, por dyshimet janë se ky aksion është bërë edhe me dijeninë e strukturave të larta të sigurisë në Maqedoni. Kjo, për shkak se i arrestuari Mile Milenkoski, së bashku me dy diplomatë tjerë (S.S) dhe (V.S), për këtë mision shpëtimi të armenit kontrovers, kanë huazuar një aeroplan privat me të cilin kanë udhëtuar në Armeni. Paraprakisht, si mbulesë ata në procedurë të shpejtuar kanë regjistruar një shoqatë joqeveritare për personat me nevoja të veçanta, për të marrë pjesë në një konferencë në këtë temë.

AKSIONI I SUKSESSHËM

Ky mision i tyre në vitin 2018 ka qenë i suksesshëm dhe armeni kontrovers, i cili mes tjerash dyshohet se ka qenë i implikuar edhe në pastrimin e parave dhe përvetësimin e shumë pronave shtetërore në vendin e tij, me aeroplanin privat është sjellë në një vend të sigurt. Siç pohojnë burimet tona, ky operacion spiunazhi i shpëtimit është zbuluar që atëherë, por me një reagim të shpejtë diplomatik dhe të strukturave të sigurisë së vendeve të implikuara në këtë rast, ky rast është heshtur, kur papritmas tani, aktivizohet përsëri nga autoritetet austriake. Në bazë të urdhërarrestit të tyre, javën e kaluar – në Vranjë të Serbisë arrestohet Mile Milenkoski, i shoqëruar nga kolegu i tij (V.S), i cili tani është diplomat në pension, por i cili ka qenë pjesë e operacionit në Armeni në vitin 2018. Që të dy vazhdojnë të mbahen në paraburgim nga autoritetet serbe.

KUSH ËSHTË DIPLOMATI MILENKOSKI

Mile Milenkoski është i njohur edhe për skandale tjera gjatë angazhimit në diplomacinë e vendit. Ndaj tij ka pasur dyshime se është i përfshirë në një mashtrim financiar në Konsullatën e Maqedonisë në Detroit, prej nga transferohet pastaj në Çikago. Aty, ai përleshet fizikisht me konsullin gjeneral dhe më pas dërgohet në Uashington. Më vonë, edhe prej atje, pas një sërë zënkash dhe incidentesh, me kërkesë të ish-ambasadorit në Uashington, Zoran Jolevski, Mile Milenkoski kthehet në Shkup. Në vitin 2017, ai angazhohet në Vjenë në Misionin e Maqedonisë në OSBE, si zëvendës i ambasadorit të atëhershëm, Kire Iliovski, me të cilin thuhet se gjithashtu ka pasur një konflikt fizik. Skandali me Armeninë ndodhi pikërisht gjatë misionit të tij në Vjenë. Përkundër gjithë këtyre incidenteve, para disa muajve Mile Milenkoski është rizgjedhur sërish në konkursin e MPJ-së për zëvendës të shefit të Maqedonisë në OSBE në Vjenë. Madje, emërimi i tij këtë herë thuhet të jetë bërë pa miratimin e shefit të Drejtorisë për Shërbime Juridike dhe Konsullore pranë MPJ-së. Kjo për shkak se Milenkoski konsiderohet i “fortë” pasi gëzon mbështetje politike dhe të strukturave më të larta të sigurisë së vendit, thonë burimet tona.

Për rastin, gazeta KOHA ka kërkuar të sigurojë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, por deri në mbyllje të gazetës, asnjë autoritet zyrtar i vendit nuk i ka pohuar apo demantuar këto të dhëna të gazetës KOHA.

MINISTRIA E DREJTËSISË NUK KA INFORMATA PËR ARRESTIMIN E MILENKOSKIT

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë shkurt se deri tani, nuk ka ende një raport për arrestimin e personit për të cilin shkruan gazeta KOHA. “Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë ende një raport për arrestimin e personit për të cilin po pyesni. Ministria e Drejtësisë nuk mund të kontaktojë zyrtarisht institucionet e huaja në bazë të informacioneve jozyrtare”, përgjigjen nga Ministria e Drejtësisë.