Pendarovski: Regjistrimi sipas përkatësisë etnike duhet të bëhet pjesë e historisë
Presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për Radio Evropën e Lirë ka komentuar operacionin statistikor të regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive në vend.
Sipas tij me kalimin e kohës duhet që përkatësia etnike të hiqet gjatë procesit të numërimit.
“Edhe po të duam, ne nuk mund plotësisht të dalim nga kjo matricë e numërimit sipas përkatësisë etnike sepse në Kushtetutën tonë ekziston një dispozitë që thotë se të drejta dhe statuse të caktuara u përkasin atyre komuniteteve jo shumicë që janë së paku 20 për qind e popullsisë, kështu që kjo është një dispozitë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, është dispozitë e Kushtetutës sonë, ne duhet ta respektojmë këtë”.
“Së fundmi festuam 20 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë, mendoj se numërimi vetëm sipas përkatësisë etnike duhet të bëhet pjesë e historisë”, tha Pendarovski.
Ndryshe, sot ka filluar regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive në Maqedoni, ndërsa do të përfundojë në fund të shtatorit. Sipas Entit Shtetëror për Statistika, i cili është organi kryesor për procesin e regjistrimit, rezultatet do të dihen pas katër muajve.