MaqedoniTop Lajme

Pse repartet Covid përfshihen shpesh nga flakët? Kombinimi fatal që shkakton tragjedi si ajo e Tetovës

Shpërndaje

Tragjedia në spitalin Covid të Tetovës ku deri më tani janë konfirmuar 14 pacientë të vdekur ka tronditur të gjithë rajonin për nga dimensioni i saj.

Flakët përpinë shumë shpejt dhomat ku ishin shtruar të sëmurët duke mos i dhënë asnjë mundësi reparteve zjarrfikëse që të ndërhynin. Verifikime të tjera janë duke u bërë, ç’ka tregon se bilanci mund të rëndohet në orët në vijim.

Deri më tani nuk ka një shkak zyrtar të zjarrit në spitalin e Tetovës, edhe pse flakët në repartet Covid janë një fenomen i shpeshtë në të gjithë botën që prej fillimit të pandemisë.

Më herët kemi raportuar për zjarre të rëna në spitalet Covid në Indi, Irak, Rusi, Turqi, Egjipt, Rumani, etj., dhe gjithçka sipas ekspertëve lidhet specifikisht me këtë repart.
Çfarë ndodh?

Gjatë fillimit të pandemisë, kur edhe repartet Covid nisën të mbusheshin, ministritë e Shëndetësisë së vendeve të BE-së, Anglisë, SHBA-ve, apo Kanadasë, i dërguan spitaleve një manual për kujdesin e veçantë që duhet treguar ndaj zjarrit gjatë trajtimit të të sëmurëve, raporton Abcnews.al.

Në një udhëzim të Komisionit Europian, ku bëhet një përshkrim i shkaqeve të zjarreve në spitale të ndryshme si edhe numrit të të vdekurve në to, jepet edhe këshilla kryesore: KUJDES me rrjedhjen e oksigjenit!

Edhe pse shkaku fillestar mund të jetë një shkëndijë elektrike, elementi që nxit zjarrin të përhapet me shpejtësi në spital është pikërisht oksigjeni.

Ai gjendet me sasi më të larta në repartet Covid dhe sidomos në pjesën e kujdesit intensiv apo ku mbahen të intubuarit.

Sasia e lartë e oksigjenit në ajër sipas ekspertëve, bën që zjarri të përhapet me shpejtësi përreth vatrës së tij duke mos i dhënë mundësi ekipeve zjarrfikëse që t’a shuajnë. Prandaj, sipas udhëzimitë të Komisionit Europian, zjarret në repartet Covid shkaktojnë një numër të madh viktimash, ndryshe nga repartet e tjera.

Shkëndija elektrike

Nga hetimet e bëra prej autoriteteve në Indi, ku deri më tani janë shënuar 24 incidente të lidhura me zjarrin në repartet Covid, rezulton se pjesa më e madhe e tyre ka patur si shkak fillestar një shkëndijë elektrike në telat e energjisë që lidhen me aparaturat apo sistemin e përgjithshëm elektrik të spitali, raporton abcnews.al.

Hetuesit konstatuan se gjatë kërkimeve për shkaqet e zjarrit duhej të fokusoheshin më shumë tek fakti se përse konstatoheshin më shumë shkëndija elektrike tek këto reparte që rezultonin në zjarre të mëdha dhe jo në reparte të tjera?

Si përfundim, u vërejt se për shkak të pandemisë, repartat Covid u mbushën me një shpejtësi të madhe krahasuar me repartet e tjera duke e mbingarkuar sistemin elektrik të spitalit, i cili herë pas here dështonte duke shkaktuar masë.

Rrjedhimisht, sasia e lartë e oksigjenit në repartet Covid, bashkuar me mbingarkesën e menjëhershme të sistemit elektrik është kombinimi fatal që çon në tragjedi të në repartet Covid të spitaleve.

Në rastin e Tetovës situata duket të ketë qenë edhe më në disfavor të të sëmurëve pasi spitali ishte i përbërë prej materialeve të njohura si “sanduiç”, të cilat digjen shumë më shpejt. /abcnews.al