RajoniTop Lajme

Kosovë/ Fillon mbështetja për lehonat dhe skema për shtesat për fëmijë

Shpërndaje

Pa u bërë ende gjashtë muaj të plotë në qeverisje, kryeministri Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekurani Murati dha njoftimin për fillimin e zbatimit të masës 3.5. – Pagesa për Lehona dhe Shtesat për Fëmijë. Përveçse premtim zgjedhor e qëllim programor i Qeverisë, kjo mbështetje për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i kësaj Qeverie.

Si Qeveri që synojmë shoqëri të barabartë, kjo masë ka për qëllim fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri duke i ofruar mbështetje asaj në mirëqenien dhe pavarësi financiare. “Për ne barazia nuk kufizohet vetëm në mundësitë e barabarta e të njëtrajtshme. Mirëpo, ajo arrihet kur mundësitë dhe mbështetja e ofruar marrin parasysh edhe nevojat dhe rrethanat e ndryshme për të pasur një rezultat të barabartë. Pra, barazi përmes solidaritetit me tjetrin dhe ndërgjegjësimit për tjetrin” u shpreh kryeministri Kurti.

Në anët tjetër, ministri Murati fillimisht shpalosi masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike të cilat vendosin në radhë të parë gruan dhe rolin e saj në shoqëri, duke vazhduar pastaj me prezantimin e detajeve lidhur me kushtet dhe kriteret për përfitim nga masë 3.5.

Në fund, përfaqësuesit e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, prezantuan dhe demonstruan procesin e aplikimit për këtë masë, e cila do të realizohet përmes platformës eKosova.

Sipas masës 3.5, lehonat e papuna në 12 muajt e fundit, të cilat figurojnë si të papuna në ATK. do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 6 muaj, ndërsa ato të punësuara do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 3 muaj, krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë. Njëkohësisht, këtë muaj fillon edhe shpërndarja e shtesave për fëmijë që do të përfshijnë fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe 2021 me nga 20 Euro në muaj. Gradualisht, me fillim nga Janari i vitit 2022 do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16 vjeçare, për të cilat vlera e shtesës është 10 Euro në muaj.

Nënat e reja mbi 18 vjeç që kanë lindur foshnjën nga data 1 Gusht 2021, duke filluar nga nesër mund të aplikojnë duke plotësuar formularin për aplikim në platformën elektronike e- Kosova me të dhënat personal të aplikueses, numrin e llogarisë bankare dhe numrin personal të foshnjës. Njëlloj realizohet edhe aplikimi për shtesat për fëmijë.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Të nderuar qytetarë,
Të nderuara media,

Sot po realizojmë edhe një zotim tonin. Pa u bërë ende plot gjashtë muaj në qeverisje, po fillojmë mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijë. Përveçse premtim zgjedhor e qëllim programor i Qeverisë, kjo mbështetje për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i kësaj Qeverie. Ne jemi zotuar para qytetarëve se do të rrisim mirëqenien e tyre dhe do ta ulim varfërinë. Këto janë dy prej kritereve më të rëndësishme me të cilat do të vlerësohemi.

Nëpërmjet zbatimit të masës 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, pra pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë, po dëshmojmë se në Republikën e Kosovës tani qytetarët dhe nevojat e tyre janë pikënisje e politikave të Qeverisë. Të njëjtat më pastaj do të shërbejnë për adresimin e sfidave tona sociale, kulturore e demografike.

Ne duam t’i mbështesim gratë sepse synojmë shoqëri të barabartë. Nuk mund të ketë barazi shoqërore kur gjysma e shoqërisë nuk trajtohet ashtu. Për ne barazia nuk kufizohet vetëm në mundësitë e barabarta e të njëtrajtshme. Mirëpo, ajo arrihet kur mundësitë dhe mbështetja e ofruar marrin parasysh edhe nevojat dhe rrethanat e ndryshme për të pasur një rezultat të barabartë. Pra, barazi përmes solidaritetit me tjetrin dhe ndërgjegjësimit për tjetrin.

Kësisoj, me këtë formë të mbështetjes, po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri. Po kujdesemi për mirëqenien dhe pavarësinë e saj financiare, në një kohë kur ajo kujdeset për fëmijën e sapolindur.

Deri te vendimi për zbatimin e kësaj mase është bërë punë dhe analizë e madhe nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Prandaj, për të na dhënë më shumë detaje në lidhje me këto, po ia kaloj fjalën ministrit të kësaj ministrie, z.Hekuran Murati.