MaqedoniTop Lajme

Ibin Emshiu është kërcënuar në rrjete sociale dhe në veturë i kanë ngjitur letër “Ke kujdes”, thonë nga SPB Tetovë

Shpërndaje

Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë janë deklaruar për rastin e Ibin Emshiu, që kishte humbur babain dhe vëllain e tij në zjarrin tragjik që shkrumboi Spitalin Modular në Tetovë mbrëmjen e 8 shtatorit.

Ibini në media ka deklaruar se është kërcënuar pas deklaratës që e ka dhënë ku tregon për mungesën e personelit mjekësor në Spitalin Modular dhe për kushtet e vështira që kanë qenë aty.

Nga SPB Tetovë thonë se sot kanë biseduar me Emshiun dhe se ai u ka thënë se nuk është kërcënuar drejtpërdrejtë, por me komente në rrjete sociale dhe se ka parë një letër të ngjitur në veturën e tij ku shkruante “Ke kujdes”.

“Pjesëtarët e policisë të SPB Tetovë mëngjesin e sotëm (13-shtator) kanë kontaktuar dhe kanë biseduar me personin I.E. nga Siniçani i Tetovës i cili kishte thënë dhe për të cilin u bë një shënim zyrtar, se ai nuk kishte një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e tij, por që pasi dha një deklaratë për mediat, ai gjoja se kishte lexuar tre komente në mediat sociale në lidhje me deklaratën – të ketë kujdes se çfarë flet dhe se diçka mund t’i ndodhë. Përveç kësaj, siç i kishte thënë policisë sot, në xhamin e përparmë të automjetit të tij në një copë letër gjoja i kishin shkruar “ki kujdes”. Por ai nuk i kishte ruajtur komentet nga rrjetet sociale ose fletën. Ai gjithashtu kishte treguar oficerëve të policisë se askush nuk i kishte kërkuar para në spital, por ia kishte dhënë vullnetarisht stafit mjekësor në mënyrë që, siç tha ai, të kujdeseshin më mirë për të afërmit e tij”, thonë nga SPB Tetovë, transmeton TV21.