RajoniTop Lajme

Njësia Speciale vazhdon angazhimin në veri, kjo është situata në orët e mbrëmjes

Shpërndaje

Në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa ndonjë incident.

Derisa shumë serbë vazhdojnë të qëndrojnë në këto anë si shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, në rrugët që qojnë në pikat kufitare ende janë të vendosur kamionë barrikadues.

Një natë para se kjo çështje të diskutohet në Bruksel, situata në veriu vazhdon të jetë e qetë.

Ndërrimi i zyrtarëve të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës është bërë pak më parë, ndërsa në pikat e kontrollit dy ditët e fundit është shtuar prania e KFOR-it.

Të njëjtit po vazhdojnë të patrullojnë në këmbë, por edhe me automjete të ndryshme.

Gjatë ditës së djeshme nga KFOR-i kanë deklaruar se këto patrullime janë në kuadër të patrullimeve të rregullta, por duke mos anashkaluar faktin se është shtuar numri i zyrtarëve të cilët kryejnë patrullime më të shpeshta.

Edhe sonte serbë të shumtë janë mbledhur në tendat e vendosura tash e nëntë ditë, derisa shprehen se do të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë anë derisa të arrihet një zgjidhje tjetër, e që nuk vendos reciprocitet për vendosjen e targave provuese në hyrje të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ditë më parë mori vendim për vendosje të reciprocitetit, ku çdo automjet me të hyrë në territorin e Kosovës duhet të ndryshojë targat zyrtare serbe në ato të përkohshme.

Kësisoj çdo automjet që posedon targa të ngjashme si “GL, KM,PR” zyrtarët policorë do të jenë të obliguar t’ua largojnë ato dhe ti shkatërrojnë, kurse ata të cilët posedojnë targa zyrtare të Serbisë duhet të zëvendësojnë ato me targat provuese.

Ky vendim bëri që serbët vazhdimisht të deklarohen se nuk do të pranojnë një vendim të tillë dhe se në të kundërtën do të duhet të bëhet pranimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Gjatë ditës së nesërme në Bruksel do të jenë të pranishme pala kosovare dhe ajo serbe, ku do të diskutohet edhe situata e krijuar pas këtij vendimi.

Por përpos palës së Bashkimit Evropian në këtë takim i pranishëm do të jetë edhe zyrtari amerikan, Gabriel Escobar.

Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës madje kanë deklaruar se janë duke bashkëpunuar me BE-në në vazhdimësi që situata të ketë një zgjidhje e cila padyshim duhet të dalë nga dialogu në mes dy shteteve./Lajmi.net/