Ali Ahmeti nga Likova: Zhvillimi i Likovës vazhdon me Erkan Arifin, rretho numrin 3 (Video)
Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar fushatën parazgjedhore në Likovë duke prezantuar kandidatin për kryetar të kësaj komune Erkan Arifi, listën e kandidatëve për këshilltarë të kryesuar nga Zekirja Shaini, si dhe programin zgjedhor që është përbetimi i tyre për ndryshimin dhe zhvillimin në Likovë.
Banorëve të Likovës iu drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi si dhe kandidati për kryetar komune Erkan Arifi.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka shprehur përkrahjen maksimale ndaj kandidaturës së Erkan Arifit duke e vlerësuar lartë punën e tij tashmë të dëshmuar me ardhjen në krye të komunës duke thënë se është njëri nga kryetarët që ka realizuar më së shumti projekte në Likovë.
“Gjithmonë ne ia kemi dal, sepse ka vendos populli dhe popullit duhet t’i prijshë, popullit duhet ti ofrosh alternativë dhe platform, nuk e kemi pasur lehtë sidomos 12 vitet e para sepse duhej të realizohen çështje të rëndësishme që nga Universiteti deri tek simbolet kombëtare. Me infrastrukturë tërësisht komunat të anashkaluara, sigurisht që më kujtohet se sa debatin e kemi bërë në fshatrat e Karadakut. Tash, dolem me Agjendën e gjelbër, me agjendën e kohës europiane, moderne por edhe që përmirëson mënyrën e jetesës. Kapitulli 24 për anëtarësim në BE është një nga më të ndërlikuarit, sepse jeta e njerëzve varet se si e organizon ambientin. Për këto vite kemi investuar në kuadro dhe unë jam krenar që këto investime janë vërtetë të dëshmuara me punën e tyre në gjitha nivelet”, tha në fjalën e tij kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi në fjalimin e tij tha se komuna e Likovës është ndër të parat me realizimin e projekteve.
“Nuk ka zgjedhje në komunë të Likovës, këtu ka vetëm zgjidhje dhe zgjidhja të dashur e ka vetëm një emër, ai është Erkan Arifi, sepse e gjithë Qeveria e gjithë Parlamenti i qëndron prapa programit të tij duke e mbështetur. Që nga fillimi i kësaj qeverisje komuna e Likovës nuk ka fshat që nuk punohet, nuk ka projekt që është dorëzuar e nuk është në realizim e sipër, çdo premtim i Erkanit i qëndrojmë prapa deri në përfundim të mandatit. Fjalët që thanë bashkëvendasit janë vlerësim më i mirë sepse institucionet tjera nuk mund të drejtohen nga njerëz joprofesionist. Është kryetar i komunës me më së shumti projekte të realizuara prandaj edhe kërkohet mbështetja për të”, tha Grubi.
Erkan Arifi, kandidat i BDI-së për kryetar të komunës së Likovës para qytetarëve ka thënë se gjatë këtij mandati kanë punuar shumë e me atë intensitet do të vazhdojnë edhe më tej.
“Ne nuk kemi dalluar qytetarët por në secilën kohë jemi munduar të shërbejmë të gjithë, nuk ka pasur ditë që nuk kemi takuar qytetarët për hallet dhe brengat. Në bashkëpunim me Qeverinë kemi realizuar shumë projekte infrastrukturore. Në qoftë se punojmë bashkërisht fitorja nuk do të mungojë, andaj apeloj tek të gjithë ju që të dalim masovikisht ditën e zgjedhjeve dhe të rrethojmë numrin 3. Të bëjmë një fushatë të kulturuar dhe të gjithë ata që ngadhnjejnë atë do e fitojnë”, ka thënë kështu kandidati i BDI-së për komunën e Likovës, Erkan Arifi.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë nesër fushatën zgjedhore në komunën e Çairit, ku do të prezantojë kandidatin për kryetar komune Visar Ganiu dhe listën e kandidatëve për këshilltarë me bartëse liste Sermine Purini.