Rajoni

Shi dhe dëborë, ja cila do të jetë dita më e ftohtë e javës dhe kur do të përmirësohet moti

Shpërndaje

Që prej mbrëmjes së djeshme i gjithë territori i vendit u përfshi nga reshje të denduara shiu, të cilat u shoqëruan nga rrebeshe në disa zona. Sipas meteorologes Adiola Bami nga “MeteoAlb” e gjithë java që sapo ka nisur do të jetë në kushte të tilla atmosferike, reshje shiu, dëbore, ulje temperaturash që në zonat malore do të zbresin deri në -1 gradë. Ndërkohë lajme të mira vijnë për ditën e premte dhe fundjavën, ku parashikohet të përmirësohen disi kushtet atmosferike.

“Duke filluar nga mbrëmja e djeshme dhe deri në mëngjesin e ditës së sotme, territori shqiptar ka pasur sasi të konsiderueshme të reshjeve të shiut, më të dukshme në zonat jugore. Herë pas here reshjet kanë qenë në formën e rrebesheve. Pritet përmirësim gjatë orëve të paradites sot në zonat e ulëta dhe perëndimore, ndërsa mbetet reshjet e pakta në zonat lindore. Reshjet e pakta mbeten në ditët e para të javës, por dita e enjte na sjell një sërish një sistem të dendur me vranësira duke sjellë rrebeshe shiu. E premtja dhe fundjava përmirësojnë disi kushtet atmosferike, pasi sasia e reshjeve gjatë të premtes dhe fundjavës do të jenë më të pakët.

Përsa i përket temperaturave të ajrit, mëngjesi i sotëm ka shënuar rënie duke bërë që vlerat minimale të zbresin në 4 gradë në zonat malore, ndërsa vlerat maksimale parashikohen 21-22 gradë. Nga e marta dhe në vijim presim rënie të djeshme duke bërë që mëngjesi i enjtes dhe së premtes termometri në zonat malore zbret në -1 gradë, ndërsa maksimumi parashikohet jo më shumë se 20-21 gradë.

Gjatë ditës së enjte natën presim që të shfaqen reshjet e dëborës në lartësi mbi 1200-300 mbi nivelin e detit. Herë pas here gjatë mesditës dhe pasdites problematik do të jetë edhe parametri i erës, ku në det të hapur parashikohet të arrijë në 55 km/h. Kosova dhe Maqedonia mbeten me rrebeshe shiu jo vetëm sot, por deri ditën e mërkurë. Ditën e enjte dhe të premten do të ketë rrebeshe shiu, nuk do të mungojnë edhe reshjet e dëborës. Fundjava përmirëson disi kushtet atmosferike. Edhe temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme duke bërë që termometri në Kosovë të zbresë në -2 gradë në zonat malore.