Për shtëpinë e re të Gruevskit në stilin barok, janë paguar 60 mijë euro shërbime komunale
Në Vodno, i arratisuri Nikolla Gruevski do të ndërtonte një shtëpi luksoze në stilin barok, i njohur për qeverisjen e tij. Prokuroria e Krimit të Organizuar në gjykimin në rastin “Parcela në Vodno” paraqiti se çfarë lloj shtëpie kishte imagjinuar dhe planifikuar për të ndërtuar ish-kryeministri. Komuna Qendër leje ndërtimi kishte dhënë në vitin 2011. Atë duhej ta ndërtonte një kompani dhe sipas prokurorisë, Gruevski duhej të ishte pronar i fshehtë. Vendimi për ndërtimin nuk është më i vlefshëm sepse ndërtimi nuk ka filluar në kohë, edhe pse shërbimet komunale janë paguar afër 60 mijë euro. Përveç Gruevskit, në këtë rast është i akuzuar edhe biznesmeni Orce Kamçev. Ai u ankua për trajtimin poshtërues në burgun e Shutkës. Më datën 5 të këtij muaji ai u dërgua në Prokurorinë Krimit të Organizuar për rastin “Perandoria”. Por, para se të arrinte, siç tha, është kontrolluar në mënyrë poshtëruese.
Jam kontrolluar jashtë ndërtesës, mes dy furgonëve dhe të burgosurit qeshnin jashtë, nga dritaret, pra jo brenda, por në bar. Për herë të parë, prangat e mia ishin të lidhura pas shpine dhe nuk mund të ulesha në furgon sepse stoli ishte vetëm 20-30 centimetra dhe gjatë gjithë kohës duhet të qëndroja në tokë. Ishte thjeshtë torturë. Kaq dua të them. Kjo më pas u konstatua me dëmtimet në dorë dhe incidentin e denoncova në Prokurori”, tha Orce Kamçev, i akuzuar.
Sipas aktakuzës në rastin “Parcela në Vodno”, i akuzuari i parë është Gruevski, i cili ndiqet penalisht për dyshimin e përvetësimit të 1.3 milion eurove nga donacionet për VMRO-DPMNE-në për të blerë parcela tërheqëse. Përveç Gruevskit, akuzohen edhe ish -drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov, nëna e Orce Kamçevit dhe kumbari i Gruevskit, Risto Novaçevski. Ky rast u hap nga Prokuroria Speciale tashmë e shuar e Katica Janevës./alsat/