“Qeveria do të financojë projektet e bashkive”, Rama: 39 investime të reja në shkolla
39 investime të reja në shkolla pritet ti shtohen hartës së infrastrukturës arsimore në vend.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga projektet për rikonstruksionin e shkollës “Skënderbej’ dhe mjediset sportive në gjimnazin “Oso Kuka” në Shkodër.
Sipas kreut të qeverisë, financimi do të bëhet nga buxheti i shtetit, pas hartimit të projekteve përkatëse nga bashkitë.
“Edhe 39 investime të reja për shkollat tona, nga veriu në jug, të cilat, pas hartimit të projekteve nga bashkitë, do të financohen nga Qeveria Shqiptare, duke iu shtuar 53 institucioneve arsimore që hapën dyert këtë vit, si dhe 450 shkollave dhe terreneve sportive të rilindura gjatë dekadës së fundit”, tha Rama.
Modernizimi i sistemit arsimor mbetet një nga objektivat e shpallura të qeverisë Rama, me fokus investimet në infrastrukturë, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe zgjerimin e përdorimit të teknologjisë në shkolla.
Paralelisht me ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinave, qeveria synon rishikimin e kurrikulave, zhvillimin profesional të mësuesve dhe forcimin e arsimit profesional.

