Gruevskit edhe 6 ditë i përfundon azili në Hungari
Ish kryeministrit të vendit, Nikolla Gruevski, këtë muaj i përfundon azili politik të cilin e fitoi në Hungari, e ku po jeton tanimë tre vite, informon Zhurnal.
Ai më 20 tetor 2018 në FB pati informuar se ka fituar azil politik ndërsa sipas rregullave të shtetit të Hungarisë, pas tre viteve bëhet revizion i vendimit. Hungaria tani përsëri duhet të vendosë nëse do t’ia vazhdojë azilin Gruevskit apo jo.
Gjithsesi, sipas të gjitha gjasave, Hungaria përsëri do t’ia vazhdojë azilin politik Gruevskit duke patur parasasyh miqësinë e ngushtë që e kanë ai dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.
Gruevski para tre viteve iku nga Maqedonia që të mos e mbajë dënimin prej dy viteve me burg për rastin “Tanku”. Ai përmes Shqipërisë, Malit të Zi e Serbisë iku në Budapest ndërsa Prokuroria ende po heton për ikjen e tij. Deri tani nuk ka dëshmi të mjaftueshme për ngritje të padisë për rastin.