RajoniTop Lajme

​Kamberi: Pushteti i Vuçiqit mbetet faktor destabilizues për rajonin

Shpërndaje

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi deklaroi sot se raporti i ri i progresit i Komisionit Evropian për Serbinë dëshmon se pushteti aktual i presidentit serb Aleksandër Vuçiq mbetet faktor destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Që nga shkeljet në të drejtat fundamentale të njeriut, trajtimit të drejtave të pakicave kombëtare, pasivizimit të adresave, gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët e lartë, mungesën e demokracisë gjithëpërfshirëse, lirinë e shprehjes dhe përfshirjen e shqiptarëve në institucione, e deri te gjendja jostabile në veriun e Kosovës, Bosnje dhe Herzegovinë, Mal të Zi, me Serbinë si vektor destabiliteti të tyre, flasin më së miri për pushtetin e sotëm në Beograd”, shkruan Kamberi në një postim në Facebook.

Kamberi ndërkaq e ka quajtur veprim inkurajues harmonizimin e politikave rreth Ballkanit Perëndimor midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, të shprehur sot përmes kumtesës së përbashkët të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe shefit të diplomacisë evropiane Josep Borell.