BotaTop Lajme

Barbel Bas zgjidhet presidente e re e Bundestagut

Shpërndaje

Bundestagu gjerman ka një numër rekord deputetësh në këtë legjislaturë. Në seancën konstitutive të martën politikania e SPD-së, Barbel Bas u zgjodh presidente e Bundestagut.

Në seancën konstitutive të Bundestagut të martën politikania e SPD-së, Barbel Bas u zgjodh presidente e Bundestagut. Bas mori 576 vota pro nga 724 vota të vlefshme, 79,6 për qind. 90 deputetë votuan kundër. Bas ia merr kështu detyrën, Wolfgang Schaublem që ishte president i parlamentit gjerman në katër vitet e shkuara. Grupit më të fuqishëm parlamentar, SPD-së bë këtë rast i takon zgjedhja e president/es/it të parlamentit. Bas ka qenë zëvendëskryetare e grupit parlamentar socialdemokrat në Bundestag.

Bas u shpreh në fjalën e saj, se ky Bundestag është veçanërisht i ri dhe ky “është një shans për të gjithë”. Ajo kërkoi që politikanët të jenë më afër qytetarëve dhe një politikë më të besueshme.

Seancën konstitutive të Bundestagut e drejtoi deputeti më i vjetër, kryetari i deritanishëm i Bundestagut, Wolfgang Schauble nga partia CDU. Ndërsa Bundestagu gjerman do të ketë në këtë mandat një numër rekord prej 736 deputetë. Në prag të seancës pati një ndriçim të godinës së Parlamentit nga ana e Shoqatës së Taksapaguesve të cilët mendojnë se Bundestagu duhet të ketë më së shumti 500 deputetë. Kryetari i Shoqatës Reiner Holznagel, thotë se kjo përbërje e Bundestagutdo të ketë shpenzime më shumë prej të paktën 410 milionë euro gjatë këtij mandati.

Gratë drejtojnë Bundestagun

Në seancën konstitutive mori pjesë edhe presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier. Ndërsa kjo seancë shënoi edhe fillimin e fundit të mandatit të kancelares Angela Merkel, pasi socialdemokratët, liberalët dhe ekologjistët tanimë kanë filluar negociatat për krijimin e koalicionit të ri qeveritar. Partitë politike kanë propozuar edhe organet drejtuese të Bundestagut. Socialdemokratët si partia me numrin më të madh të deputetëve kishin propozuar si kryetare të Bundestagut më parë Barbel Bas, ndërsa si zëvendëskryetare nga radhët e kësaj partie u propozua Aydan Ozoguz. Zgjedhja e tyre konsiderohej si e sigurt, pasi partitë politike në Gjermani zakonisht i respektojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe propozimin e partisë më të madhe për postin e kreut të Bundestagut.

Në historinë e Bundestagut gjerman ka pasur deri tani vetëm dy kryetare. Në vitin 1972 në këtë post është zgjedhur socialdemokratja Annemarie Renger, që ishte një ngjarje historike. Ndërsa kristiandemokratja Rita Süsmuth ishte në krye të Bundestagut prej vitit 1988 deri 1998.

Një grua për postin e zëvendëskryetares në përbërjen e tanishme propozoi edhe Unioni CDU/CSU, i cili mendon se ky post duhet t’i takojë deputetes Yvonne Magwas. E të njëjtën e kanë bërë edhe ekologjistët, të cilët kanë propozuar Claudia Roth, si dhe E Majta e cila propozon Petra Pau për zëvendëskryetare. Liberalët propozojnë deputetin me përvojë të gjatë Wolfgang Kubicki. Këta kandidatë konsiderohen si të sigurt se do të zgjidhen në këto poste. Ndërsa AfD ka propozuar Michael Kaufmann për postin e nënkryetarit. Ai nuk është i sigurt se do të zgjidhet në këtë post, sepse në mandatin e kaluar, partitë e tjera kanë refuzuar të votojnë kandidatët e Alternativës për Gjermani (AfD)për postin e nënkryetarit.

Debati rreth ulëseve

Partia liberale (FDP) ka kërkuar që në Bundestag të ndryshohet renditja e ulëseve, sepse ata nuk duan të jenë afër partisë AfD. Liberalët duan të zëvendësojnë ulëset me partinë e Unionit CDU/CSU, të cilat sipas të gjitha gjasave do të jenë në opozitë. Por partitë e Unionit janë kundër, sepse sipas shpjegimit të tyre, liberalët gjithmonë në Bundestag kanë qenë të ulur në krahun e djathtë të tyre. /dw/