MaqedoniTop Lajme

Mickoski i jep dy ditë afat Zaevit: Nëse nuk dorëhiqet e rrëzojmë

Shpërndaje

Hristijan Mickoski dëshmoi se gëzon shumicë parlamentare me 61 deputet. Formimi i saj mund të pritet pas ditës së hënë, deri kur lideri i VMRO DPMNE-së i dha afat kryeministrit Zoran Zaev ta deponojë dorëheqjen e tij në Kuvend. Mickoski pretendon shumicë parlamentare nga e cila do të burojë Qeveria politike.

“Janë nënshkruar për një gjë dhe ajo është se jo Qeveri e Zoran Zaev nuk ka legjitimitet dhe kredibilitet. Unë do të doja të kishim Qeveri politike e cila do të ketë kapacitet të plotë, do ta çon mandatin deri në vitin 2024, do të zbaton reforma”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nëse nuk formohet Qeveri me peshë politike, Mickoski kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Çdo Qeveri tjetër përpos asaj me peshë politike nuk është opsion. Derisa nuk mund të formojmë Qeveri me peshë politike, do të duhet të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

I pyetur nëse do të pranonte Qeveri teknike me BDI-në brenda saj, Mickoski u përgjigj duke thënë se njëri nga qëllimet është që BDI-ja të zhveshët nga pushteti.

“Nuk e kam problem të jem në cilën do Qeveri ku ka shumicë, por në këtë rast shumicën e kemi me ASH-AAA dhe Lëvizjen Besa dhe qëllimi im në këto zgjedhje, përveç fitores ndaj LSDM-së ishte edhe ta zhvesh nga pushtetit BDI-në. E përsëris, BDI-në ta zhvesh nga pushteti”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga Aleanca për Shqiptarët sot deklaruan se shumica e re parlamentare është rezultat i nevojës për luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Nga partia e Ziadin Selës thonë se zgjedhjet e ardhshme do të organizohen pa BDI-në dhe LSDM-në.

“Vendi do të ketë Qeveri të re pa LSDM dhe BDI dhe nuk ka më kthim mbrapa. Shumica e re është përgjigja më e mirë ndaj thirrjeve të Presidentit Biden, BE-së dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Erdhi fundi i qeverisjes me funksionarë që janë në listën e zezë të SHBA-ve”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ditëve në vijim do të vazhdojnë konsultimet me partnerët e nënshkruar në listën e shumicës së re parlamentare. Mickoski tha se nga e hëna pret që shumicës t’i bashkohen edhe subjekte të tjera, të cilat nuk deshi t’i potencon. Formimin e shumicës së re parlamentare, Mickoski e kishte paralajmëruar që në fushatën e zgjedhjeve lokale. Pas dorëheqjes së Zaev, Mickoski në një takim me përfaqësuesit e partive shqiptare në Kuvend dhe partinë E Majta mblodhën firmat për shumicë të re. Ndërkohë lideri i të majtës Apsiev njoftoi sot e mbështesin shumicën, por nuk do të bëhen pjesë e Qeverisë.